Komisioni kuvendor për Çështje Kushtuese e filloi sot, e diel, debatin për draft-amendamentin e katërt dhe të fundit, gjegjësisht për amendamentin 36 me të cilin propozohet që të zëvendësohet neni 49 i Kushtetutës së Maqedonisë, që del nga nevoja për implementimin e Marrëveshjes së Prespës ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.
Me draft-amendamentin, siç sqaroi kryeministri Zoran Zaev, propozohet dhe potencohet detyrimi i Republikës së Maqedonisë për mbrojtje, garantim dhe ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore të popullit maqedonas si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve të cilët jetojnë ose qëndrojnë jashtë vendit dhe përmirësimin e lidhjeve të tyre me atdheun. Në amendament është shënuar se Republika e Maqedonisë kujdeset edhe për pjesëtarët e popullatës maqedonase të cilët jetojnë jashtë shtetit pa u përzier në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e tyre të brendshme. Kjo bëhet në atë mënyrë që nuk do të shkaktojë përçarje dhe probleme me fqinjët, por do të krijojë miqësi të qëndrueshme.
“Qëllimi i këtyre ndryshimeve të Kushtetutës është implementimi i Marrëveshjes me Greqinë me të cilën duhet të mundësohet pranimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sipas Marrëveshjes, Republika e Maqedonisë dhe Republika e Greqisë u angazhuan që asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk mundet ose nuk duhet të interpretohet në ndonjë mënyrë e cila nënkupton ose do të mund të nënkuptojë bazë për përzierjen në punët e brendshme të shtetit tjetër në çfarëdo lloj forme ose për çfarëdo lloj shkaku, përfshirë edhe për shkak të mbrojtjes së statusit dhe të drejtës të çdonjërit të cilët nuk janë qytetarë të saj”, tha kryeministri Zaev.
Me formulimin e ri të nenit 49, potencon, jepen garanci për mbrojtjen e identitetit maqedonas.
“Identiteti i popullatës maqedonase është i mbrojtur. Nuk do të ketë kurrfarë ndryshime në identitet. Në Kushtetutë është paraparë një detyrim për mbrojtjen dhe nxitjen e identitetit maqedonas. Ky qëndrim është me propozim të grupit të ri parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Maqedoni më të mirë. Më vjen mirë që vjen kështu i plotësuar sepse në muajt e fundit kjo ishte njëra nga pikat më të hapura për debat në vend. Me këtë e përmbyllim edhe këtë çështje duke garantuar dhe një herë identitetin maqedonas në Kushtetutë”, tha Zaev.
Theksoi se vendosja në Kushtetutë e mbrojtjes shtesë të identitetit maqedonas nuk ka të bëjë me bashkësitë tjera etnike, sepse në nenin 48 tashmë ka garanci të fuqishme për identitetin e bashkësive.
Me amendamentet kushtetuese, siç tha, zgjedhim kontest i cili ishte i pranishëm në dy e më shumë dekadat e kaluara që ta nxjerrim vendin tonë nga izolimi.
Deputeti Fadil Zendeli nga BESA tha se diaspora nuk është vetëm maqedonase, por edhe e bashkësive tjera etnike.
“Nuk mundet që pjesëtarët e bashkësive tjera etnike të trajtohen si qytetarë kur janë jashtë shtetit. Duhet të gjendet formulim se si të garantohen të drejtat tona si shqiptarë nga Maqedonia kur jemi jashtë vendit. Duhet të ketë formulim të veçantë edhe për diasporën e bashkësive tjera etnike, e jo vetëm për atë maqedonase”, tha Zendeli.
Në replikë kryeministri Zaev iu përgjigj se Kushtetuta potencon se shteti kujdeset për të gjithë qytetarët e tjerë dhe e respekton identitetin e qytetarëve të saj në vend dhe jashtë vendit dhe shtoi se së bashku me ekspertët do ta shqyrtojë kërkesën që të mos shkaktohet ndjenjë e pakëndshme ose ndjenjë e pabarazisë për asnjë qytetar të vendit tonë kur, siç tha, vendi ynë kujdeset për të në shtet ose kur është jashtë shtetit.
Syreja Rushiti nga Aleanca për Shqiptarët akuzoi se Kushtetuta i ndan qytetarët në vend të qytetarëve nga kategoria e parë dhe e dytë, gjegjësisht në pronarë dhe qiraxhinj. Theksoi se nuk ka asnjë shembull se si e drejta sigurohet në bazë të përfaqësimit sipas përqindjes si tek ne dhe kërkoi të vendoset dispozitë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve nga Republika e Maqedonisë në vend, për shkak se për këtë nuk mund të kujdesen as Tirana, madje, as Prishtina. Theksoi se është dyfish më i madh numri i shqiptarëve nga Maqedonia të cilët në 100 vitet e fundit e kanë braktisur vendin për arsye të ndryshme nga ata të cilët kanë qëndruar dhe kërkoi që të gjithë kategoritë e qytetarëve të përfshihen në amendament.
Në replikë kryeministri iu përgjigj se janë të përkushtuar në trajtimin e barabartë të qytetarëve në vend dhe shtoi se në nenin 48 nga Kushtetuta është garantuar barazia e bashkësive, ndërsa me amendamentin propozohet që në mënyrë kreative edhe një herë të konfirmohet identiteti i Maqedonisë. “Nëse shtohet edhe për bashkësitë e tjera etnike do të shfuqizojë nenin 48 nga Kushtetuta”, tha Zaev.
Panço Minov nga Grom kërkoi që në amendamentet të vendoset dispozitë plotësuese siç vijon “Republika i mbron, garanton dhe mbron identitetin dhe trashëgiminë historike dhe kulturore të popullit të Maqedonisë”, për çka kryeministri Zaev i tha se mund të vijë deri në frustruacione nëse diçka potencohet tepër shumë dhe se nuk është mirë që dy herë të potencohet e njëjta. Megjithatë premtoi se do të jenë mjaftueshëm kreativ gjatë përpilimit të amendamenteve përfundimtare kushtetuese dhe në to do të përpiqen t’i fusin të gjithë vërejtjet.
“Partneri grek nuk ka problem me identitetin tonë dhe përcaktimin tonë. Unë jam maqedonas dhe këtë ndjenjë askush nuk mundet të ma marrë, por është mirë që të gjejmë mënyrë që përmes debatit këtë ta konfirmojmë”, potencoi Zaev.
Deputetja e pavarur Elizabeta Kançeska Milevska e porositi pushtetin se duhet të përpiqet të arrijë konsensus për çështje për ndryshim të Kushtetutës. “Qeveria duhet të angazhohet që në këtë periudhë të arrihet konsensus kombëtar për këtë çështje. Nëse dikush mendon se do të fitojë pikë politike në këtë çështje do të zhgënjehet shumë. Nuk duhet të ndahemi në patriotë dhe tradhtarë. Duhet të gjejmë modul dhe mënyrë që në shtet të ketë jetë më të mirë”, tha Kançeska Milevska.
Duke replikuar kryeministri Zaev tha se do të përpiqen të ketë përfshirje të opozitës dhe pushtetit në, siç tha, një proces i cili do të thotë servis për qytetarët dhe shtoi se gjatë gjithë kohës së negociatave me Greqinë e ka informuar opozitën për gjithçka që ndodhë. “i mirëseardhur është çdo kapacitet që t’i plotësojmë amendamentet. Në to tanimë janë futur pjesë nga bisedimet me tetë deputetët e opozitës që e mbështetën nevojën për amendamente kushtetuese për implementim të Marrëveshjes së Prespës”, tha Zaev.
Deputetja e pavarur Nolla Ismajllovska Starova theksoi se në Greqi është diskutabile përmendja e popullit të Maqedonisë, ndërsa kjo, siç tha, e ka konfirmuar edhe nënshkruesi i Marrëveshjes së Prespës, Nikos Koxias. “Është mirë që me Marrëveshjen për herë të parë pranohet ekzistimi i kombit të Maqedonisë dhe gjuhës maqedonase nga pala greke. Që të votojmë është shumë e rëndësishme të qëndrojë se Marrëveshja do të jetë e pavlefshme në qoftë se Greqia nuk e përmbushë në tërësi”, tha Ismajllovska Starova.
Për diskutim janë paraqitur gjithsej 12 deputetë, ndërsa deri tani të drejtën e tyre për fjalë e shfrytëzuan shtatë. Debati do të vazhdojë pas pauzës./MIA/







