Vazhdojnë tensionet në Republikë Serbe. Arrestohet brutalisht një deputet (VIDEO)

Autoritetet në Republikën Serbe të Bosnjës kanë liruar nga paraburgimi Dovar Dragiçeviq, arrestimi i të cilit ngriti tensione në vend.

Dragiçeviq, tash e sa kohë, po organizon protesta për të kërkuar të vërtetën rreth vdekjes së djalit të tij, David Dragiçeviq.

Policia arrestoi Dragiqeviçin, të martën, mbi akuzat se protestat e tij përbënin një kërcënim për sigurinë.

Disa persona të tjerë gjithashtu u arrestuan, duke përfshirë disa politikanë të opozitës.

Mbështetësit e familjes u mblodhën në protestë, duke u përleshur me policinë në qytet.

Njëri nga të arrestuarit ishte edhe deputeti i PDP-së, Drashko Stanivukoviq, i cili u mbajt për 24 orë në burg, shkruan Ballkani.info.

“A e din ministri i Punëve të Brendshme, Dragan Lukaq se me kanë goditur në gjenitale, në këmbë, a din ai që nuk e kanë dëmtuar veturën zyrtare të policisë, por vetëm jam mbrojtur”, ka thënë Stanivukovuq pas daljes nga burgu.

Sipas tij, ai padrejtësisht është mbajtur për 24 orë në burg.

“Kur avokati im ka thënë se kjo është joligjore, policët janë përgjigjur se është dashur ta arrestojnë”, ka thënë ai.

Lëvizja “Drejtësia për Davidin” e Dragiçeviq ka kërkuar informacion në lidhje me vdekjen e djalit të tij 21-vjeçar, në mars të këtij viti.

Ajo ka frymëzuar protesta anti-qeveritare që kanë pasqyruar pakënaqësi të gjerë popullore mbi korrupsionin dhe papunësinë në vendin ballkanik, transmeton AP.

Tubimet mbështetëse për prindërit e 21 vjeçarit, David Dragiçeviq, do të mbahen të mërkuren në Sarajevë dhe Beograd. /Ballkani.info/