Policia serbe ka hequr bllokadat e rrugëve në kryeqytetin Beograd të hënën herët, të cilat ishin vendosur si pjesë e një proteste për shkak të një vale arrestimesh të protestuesve antiqeveritarë, pas një tubimi masiv që kërkonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mijëra demonstrues vendosën gardhe metalike dhe kontejnerë mbeturinash në vende të ndryshme në Beograd dhe gjetkë në të gjithë vendin të dielën në mbrëmje, duke përfshirë një urë kyçe mbi lumin Sava në kryeqytet. Protestuesit thonë se planifikojnë të kthehen të hënën, raporton AP.

Policia ka thënë në një deklaratë se një numër personash janë ndaluar pa specifikuar se sa. Pamjet e postuara në mediat sociale tregonin automjete policie që lëviznin me shpejtësi të lartë përmes një bllokade në një rrugë të Beogradit dhe njerëz që iknin në panik.

Bllokadat janë pjesë e mospajtimit të vazhdueshëm kundër qeverisë së presidentit Aleksandër Vuçiq që filloi pasi një stehë betoni në një stacion treni u shemb në qytetin Novi Sad në nëntor, duke lënë të vdekur 16 persona.

Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për viktimat e shembjes së strehës, aksident të cilin shumë në Serbi e konsiderojnë si pasojë e neglizhencës së nxitur nga korrupsioni në projektet shtetërore të infrastrukturës.

Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur të shtunën në një protestë të udhëhequr nga studentët në Beograd për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, që shpresojnë se do të rrëzojnë qeverinë e krahut të djathtë të Vuçiqit. Grupe protestuesish u përleshën me policinë pasi pjesa zyrtare e tubimit përfundoi.

Dhjetëra u arrestuan më vonë.

Vuçiqi ka refuzuar të shpallë zgjedhjet, të cilat janë planifikuar të mbahen në vitin 2027. Studentët dhe profesorët e universitetit janë një forcë e rëndësishme pas gati tetë muajsh protestash pothuajse të përditshme dhe Vuçiqi i ka akuzuar ata për “terror” dhe përpjekje për të shkatërruar vendin.

Gati 50 oficerë dhe 22 protestues janë lënduar në përleshjet e së shtunës vonë. 

Policia e trazirave ka përdorur shkopinj gome, sprej dhe mburoja për t’u mbrojtur ndaj demonstruesve që hodhën gurë dhe objekte të tjera drejt kordoneve të policisë. 

Gati 40 persona po përballen me akuza penale për përleshjet, ka njoftuar policia.

Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu të paktën tetë studentë universiteti për akte të dyshuara kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, duke i akuzuar ata për planifikim sulmesh ndaj institucioneve shtetërore. Protestuesit kanë kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.