Vazhdojnë reagimet për marketet që përfituan më së shumti nga Pakoja Emergjente

Lista e përfituesve nga pakoja emergjente në Qeverinë Hoti, ngriti shumë reagime.

Kur gjithçka u mbyll në vend për shkak të masave anti – covid, ato s’e ndalën punën.

Megjithatë, rrjetet e marketeve që punuan çdo ditë të pandemisë, dalin të jenë ndër përfitueset më të mëdha të pakos për rimëkëmbje që ishte ndarë nga Qeveria në tetor të vitit të kaluar.

Bazuar në një dokument që u publikua nga udhëheqësi i Ministrisë së Financave, Hekuran Murati, në listë janë edhe një numër i madh i bizneseve të tjera.

Publikimi i kësaj liste me top 50 përfituesit e pakos emergjente, ngjalli reagime pro dhe kundër.

E ndaj saj reagoi edhe ish ministrja e dikasterit me të cilën tani udhëheq VV, Hykmete Bajrami.

Sipas Bajramit, ministri Murati në mungesë të argumenteve për mos vazhdimin e shtesave ndaj pensionistëve dhe familjeve në asistencë sociale, po zgjedh strategjinë e zhvendosjes së vëmendjes në gjëra të tjera.

Pas publikimit të listës së 50 bizneseve që përfituan nga Qeveria Hoti, reagoi edhe Bashkimi Europian.

Ishte shefi i Zyrës së Bashkimit Europian, i cili vlerësoi se ky është një ky është një hap pozitiv drejt transparencës dhe llogaridhënies.

Ai ka thënë se madje ky ishte kusht kur Kosova nënshkruajti me BE-në marrëveshjen 100-milionëshe makro-financiare.

Edhe njohës të ekonomisë kritikojnë, përfitimet e bizneseve që punuan gjatë tërë pandemisë.

T7 ka tentuar të marrë një përgjigje, nëse kjo listë e bizneseve përfituese të Qeverisë së kaluar, përfshin edhe biznese të tjera, mirëpo kjo ka qenë e pamundur.