Lon Karrica, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane (PSHDK) në Gjermani, ka reaguar publikisht duke i bashkuar zërit të Anton Markut nga PSHDK-ja në Austri, lidhur me situatën e krijuar brenda strukturave të partisë. Karrica ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Zef Morinës, duke e akuzuar këtë të fundit për veprime që, sipas tij, bien ndesh me traditën demokristiane të subjektit.
Në deklaratën e tij, Karrica thekson se çdo bashkëpunim apo koalicion i Zef Morinës me Albin Kurtin nuk mund të bëhet në emër të PSHDK-së.
“Zef Morina duhet të japë dorëheqje menjëherë nga pozita e tij. Nëse ai ka vendosur të bashkëpunojë ose të hyjë në koalicion me Albin Kurtin, le ta bëjë si individ privat, por jo në emër të PSHDK-së dhe as me logon e saj,” ka deklaruar Karrica.
Ai shton se PSHDK nuk mund të instrumentalizohet për projekte politike që, sipas tij, nuk përputhen me vlerat kristian-demokrate të partisë.
Karrica ka bërë edhe një apel të drejtpërdrejtë drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të PSHDK-së që të mos i mbështesin “neokomunistët dhe aventurat e së majtës ekstremiste”, por të orientohen drejt Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
“U bëj apel të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PSHDK-së që të mos votojnë neokomunistët dhe aventurat e së majtës ekstremiste, por t’i japin mbështetje LDK-së, ku trashëgimia rugoviane përfaqësohet denjësisht nga Uke Rugova,” ka theksuar ai.
Deklarata e Karricës vjen në një moment tensionesh të brendshme brenda PSHDK-së, ku disa figura të partisë kanë kundërshtuar çdo afrim politik me Vetëvendosjen.

Demokristianët në Gjermani komunikatë se do të votojnë LDK-në dhe se nuk janë me Zef Morinën pasi ka hyrë me VV-në
Anton Antoni, nënkryetar i parë i PSHDK-së, ka dhënë dorëheqje nga partia pasi kryetari i kësaj partie, Zef Morina, ka lidhur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai ka akuzuar kryetarin e partisë se ka arritur koalicion me Kurtin pas kurrfarë konsultimi me anëtarësinë e partisë dhe se s’ka mbajtur asnjë mbledhje për të marrë një vendim të tillë.
Antoni në reagimin e tij ka përmendur edhe një mbledhje të mbajtur në Gjakovë, në të cilën thotë se s’ka pasur legjitimitet dhe ka demantuar deklarimet që janë bërë kinse për mungesë të përkrahjes nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ai ka deklaruar se PSHDK duhet të mbetet parti e djathtë.
“PSHDK ka qenë dhe duhet të mbetet parti e djathtë, me vlera të qarta politike, morale dhe shoqërore. Vendimet e fundit të kryetarit Morina nuk përputhen me këtë identitet dhe dëmtojnë integritetin e partisë”, ka shkruar Antoni.









