Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tre kosovarëve që ranë në Lepenc| Çfarë dihet deri më tani?

Janë bërë 24 orë që kur kanë nisur kërkimet për gjetjen e tre qytetarëve nga Kosova të cilët si pasojë e një aksidenti ranë së bashku me veturën e tyre në lumin Lepenc.

Në veturën e tipit BMW e cila u aksidentua të shtunën rreth orës 15:20 në rrugën Shkup –VK Bllacë, ndodheshin katër persona, ku fatmirësisht njëri nga ta ka arritur të shpëroj dhe aktualisht është duke u trajtuar në Spitalin “8 shtatori” në Shkup.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, njoftuan se në aksident ishin përfshirë vetura ‘Volkswagen Turan’ me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B (64) nga Shkupi dhe një veturë të udhëtarëve ‘BMW’ me targa të Kosovës e drejtuar nga NP (60) nga Kosova, e cila pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc.

“Në veturën tip BMW, sipas kallëzimit, përveç drejtuesit të mjetit ndodheshin edhe tre pasagjerë M.P (48), Sh.P (21) dhe një i mitur 16-vjeçar. Me urdhër të prokurorit publik shoferi i veturës ‘Volkswagen Touran’ B.B është arrestuar”, ka njoftuar MPB.

Kërkimet për gjetjen e tre pasagjerëve të veturës BMW, kanë nisur pasditen e së shtunës, ku përveç ekipeve të shpëtimit të Maqedonisë së Veriut, kërkimet janë duke i bërë edhe pjesëtarët e FSK-së dhe disa vullnetarë.

Lidhur me rastin është deklaruar e MPJD e Kosovës, e cila ka njoftuar se kërkimet po vazhdojnë me shumë vështirësi, dhe se deri më tani nuk ka ndonjë epilog.

“Krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës. Për shkak të reshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi por pa epilog deri më tani”, njoftoi MPJD.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se ka qenë në  vendin e ngjarjes, dhe se aktualisht në  vendin ku ka ndodhur aksidenti ndodhën 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe FSK-së.

“Pas koordinimit me autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbrëmë kanë arritur njësitet e para profesionale të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët kanë filluar planifikimin dhe kërkimin në rrjedhën e rrëmbyeshme të Lepencit.

Aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi”, ka deklaruar ai.

I riu i cili ka arritur t’i shpëtoi aksidentit, dhe tre personat për të cilët vijon kërkimi janë të familjes Pacolli nga Kosova.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli i cili mbrëmë shkroi se tre anëtarët e tjerë të familjes për të cilët po vazhdojnë kërkimet, kanë humbur jetën.

“E përjetoj me dhimbje tragjedinë e familjes Pacolli, këtë mbrëmje në Maqedoni ku Naim, Merita dhe Ermal Pacolli, humben jetë. Zoti i mëshiroftë të ndjerët e Shkëlqimit i uroj shërim të shpejtë. Lutem për këtë familje”, ka shkruar Pacolli.

Operacioni i kërkimit, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, po zhvillohet në kushte jashtëzakonisht të vështira për shkak të sasisë së madhe të ujit në lumin Lepenc, i cili paraqet rrezik edhe për zhytësit.