Policia e Kosovës në komunikatën ku e konfirmoi vrasjen e një polici në veri, ka bërë të ditur se sulmet me armë ndaj tyre po vazhdojnë.

Sipas komunikatës, ekipet e policisë po sulmohen nga grupe të armatosura.

“Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Se ka ende gjuajtje me armë zjarri e konfirmoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.”, ka shkruar Kurti.

Policia ka bërë të ditur se pas orës 2 të mëngjesit kanë pranuar informatën se mbi urën në Banjsko, po tentohet bllokimi i rrugës.

Kur kanë dalur në vendin e ngjarjes janë sulmuar me armë zjarri e granata, ku një polic ka mbetur i vrarë, e një tjetër është plagosur.