Vasfije Krasniqi

Vasfije Krasniqi, kërkesë Osmanit, Kurtit e KGjK-së: Të shqyrtohen rastet e refuzuara të të mbijetuarave të dhunës seksuale

Vasfije Krasniqi, ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, ka treguar se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, ka rifilluar procesin e aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e Këshilli Gjyqësor që të angazhohen që rastet e refuzuara të shqyrtohen.

”Komisioni Qeveritar/NJVSPDHLÇK ka rifilluar procesin e aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Personalisht kam takuar qindra viktima, shumë prej të cilave u është refuzuar paarsyeshëm statusi”.

“Si viktimë, që kam kaluar gjithashtu nëpër një proces të mundimshëm verifikimi kërkoj nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të angazhohen që rastet e refuzuara të shqyrtohen, dhe të mbijetuarave që me vite po presin vendimet e gjykatave t’u njihet statusi. Është humbur shumë kohë dhe shumë viktima kanë vdekur në errësirën e traumës së tyre, Ju lutem mos lejoni që kjo të ndodhë edhe me të tjerat. Vjosa Osmani Albin Kurti”, ka shkruar Krasniqi.