Nga 1000 gra të cilat kishin aplikuar për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, vetëm rreth 330 prej tyre iu është miratuar kjo kërkesë.

Gratë të cilat e kanë marrë këtë status, tashmë do të përfitojnë një pension prej 230 eurove në muaj për gjithë jetën.

Por në anën tjetër është edhe një problem shqetësues për gratë të cilat nuk iu është njohur ky status, ankesat e të cilave si duket do të shkojnë në ‘vesh të shurdhër’, shkruan Ballkani.info.

Kjo ndodh për arsye se në ligjin e miratuar për viktimat e dhunës seksuale, nuk parashihet procedura e të drejtës për ankesë, që do të thotë se ankesat do të mirren vetëm si shqyrtime të lëndës.

Ballkani.info ka kontaktuar me gruan e mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila ishte gruaja e parë që kishte folur publikisht rreth kësaj çështje në vitin 2017.

Vasfije Krasniqi-Goodman, ka dëshmuar së fundmi për krimet serbe dhe ngjarjen e saj para Kongresit Amerikan, dëshmia e së cilës ka përlotur kongresmenët amerikan.

E pyetur rreth refuzimeve ndaj 670 aplikanteve për të marrë statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi është shprehur e habitur dhe e ka quajtur të palogjikshëm procesin.

“Lajmin po e marr vesh tani, unë kam qenë në dijeni se intensiteti i punës ka qenë shumë i ngadalshëm, por kjo që po dëgjoj tani është e palogjikshme. Unë e kuptoj se është proces i ngadalshëm dhe njejtë ka ndodhur edhe me rastin tim i cili gjendet në tri gjykata, të cilat vazhdimisht kanë kërkuar prova të reja dhe dëshmitarë për një rast që po dihet se ka ndodhur para 20 viteve, gjë që s’ka logjikë”, ka thënë Vasfije Krasniqi.

Tutje, zonja Krasniqi ka komentuar edhe shumën e pensioneve që gratë të cilat kanë përfituar këtë status do ta marrin, duke thënë se është vlerë e vogël.

“Shuma prej 230 eurove nuk është vlerë e madhe, pasi që neve edhe milionat po të na i jepnin nuk është diçka që na e largon dhimbjen. Unë po bazohem në gjendjen në Kosovë, andaj po them se kjo shumë nuk i mbulon shpenzimet, pasi që kam raste kur shumë viktima më shkruajnë duke më treguar se me një shumë të tillë s’po mund të mbulojnë as shpenzimet për barna mujore”, tha Vasfijë Krasniqi për Ballkani.info.

Në fund, ajo ka thënë se numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mund të jetë edhe më i madh se sa është raportuar deri më sot (rreth 20.000), por ka thënë se fakti që kjo temë nuk përfolet në Kosovë, bën që shumë gra të mos lajmërohen. /Ballkani.info