Deçan

Varroset 26-vjeçari që vdiq pasi u godit nga një veturë në Prishtinë

Iu është dhënë lamtumira e fundit 26-vjeçari Shkumbin Hebibaj që vdiq pas goditjes nga një veturë në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, më 26 shkurt.

Varrimi i të ndjerit është bërë në varrezat e fshatit Ballaboq të Deçanit.

“Rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, kishte njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas kërkesës për paraburgim e dyshuara duke drejtuar makinën në mënyrë të pakontrolluar, ka goditur shtyllën e semaforit dhe semafori pas rrëzimit e godet këmbësorin SH.H, i cili si pasojë e lëndimeve vdes në vendin e ngjarjes.

“Me të arritur përballë Ministrisë së Arsimit te semafori, e njëjta duke vazhduar në mënyrë të pakontrolluar dhe me pjesën e përparme të automjetit godet shtyllën e semaforit dhe nga goditja semafori rrezohet dhe godet këmbësorin SH.H, me çka tani të ndjerin i ka shkaktuar lëndime të renda trupore, ku si pasojë e lëndimeve, tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes”, përshkruhet në kërkesën e publikuar nga Betimi për Drejtësi.