Oliver Varhelyi

Varhelyi: Serbia të harmonizojë politikën e saj me të BE-së, anëtarësimi i mundshëm brenda pesë vjetëve

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka thënë të hënën në Beograd se Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, duhet të harmonizojë politikën e jashtme me atë të Bashkimit Evropian, të përmirësojë demokracinë si dhe sundimin e ligjit.

Ai ka thënë se shpreson që Serbia dhe vendet tjera në rajon, të jenë pjesë e BE-së deri në fund të mandatit të legjislaturës së re të Komisionit Evropian, nëse i zbatojnë të gjitha reformat e domosdoshme.

“Është e qartë që dera është e hapur. BE-ja është gati për të pranuar anëtarë të rinj. Brenda pesë vjetëve, po. Është krejtësisht e mundshme”, ka thënë Varhelyi më 13 maj, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Diskutimet për Srebrenicën

Në diskutimet me Vuçiqin, tema kryesore ka qenë Plani i BE-së për Rritje Ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo Varhelyi e ka përmendur edhe rezolutën për gjenocid në Srebrenicë, për të cilën planifikohet të diskutohet në Kombet e Bashkuara.

“Nuk pajtohem aspak me stigmatizimin e popullit serb kur është fjala për rezolutën për Srebrenicën. Faji kolektiv dhe ndëshkimi kolektiv nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e vlerave tona. Mirëpo, fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë”, ka thënë Varhelyi.

Në propozimin final për rezolutën – në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë – vendimi i OKB-së “për shpalljen e 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995, do të shënohet çdo vit”.

OKB-ja, sipas tekstit, “dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare t’i ruajnë faktet”.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka cilësuar si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku janë vrarë më shumë se 8.000 burra dhe djem.

Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë./REL