MPI

Varfëria multidimensionale, Shqipëria e 68-a në botë

A po ndjekin fëmijët shkollën? A kanë familjet qasje në ambientet e kujdesit shëndetësor?

A po marrin komunitetet ujë të pastër, rregullisht dhe energji elektrike? Këto janë disa nga faktorët që mund të ilustrojnë varfërinë shumëdimensionale, e cila shikon privimet e ndryshme që njerëzit përballen në të njëjtën kohë në aspekte të ndryshme të jetës së tyre, jo thjesht mungesën e të ardhurave.

Rreth 1.3 miliardë njerëz jetojnë në varfëri shumëdimensionale dhe gjysma e tyre janë më të rinj se 18 vjeç. Ky rezultat, i publikuar në Indeksin global të varfërisë 2018 (MPI) botuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Iniciativa për Varfërinë dhe Zhvillimin Njerëzor të Oksfordit.

Sipas këtij Indeksi, Shqipëria renditet e 68 e studiuar sipas kategorive të studimit, ku më mirë shfaqet Mali i Zi, i renditur i 50-i, ndjekur nga Serbia e 67-a.

Ndërsa Maqedonia në rajon renditet e fundit, e 80-a, sipas nën-indikatorëve që tregojnë se ka numrin më të lartë të të varfërve multidimensional, raporton “Monitor”.

Indeksi, që shqyrton 105 vende dhe mbulon pothuajse tre të katërtat e popullsisë globale, shikon përtej të ardhurave për të kuptuar se si njerëzit përjetojnë varfëri në mënyra të shumta dhe të njëkohshme. Ai identifikon se si jetojnë njerëzit në tri dimensione kyçe: shëndetësia, arsimi dhe standardi i jetesës, që përfshin 10 tregues si mungesa e qasjes në ujë të pastër, ushqim adekuat ose arsim i detyruar.

Njerëzit që përjetojnë privim në të paktën një të tretën e këtyre treguesve të peshuar bien në kategorinë e shumë-dimensionalisht të varfër.

Por ku janë të gjithë të varfërit shumë-dimensionalisht? Varfëria shumëdimensionale gjendet në të gjitha rajonet në zhvillim të botës, por është veçanërisht e rëndësishme në Afrikën sub-Sahariane dhe Azinë Jugore, ku jetojnë 83 për qind e të gjithë njerëzve të varfër shumëdimensional. Në përgjithësi, vendet me shumicën e njerëzve që jetojnë në varfëri shumëdimensionale janë India, Nigeria, Etiopia, Pakistani dhe Bangladeshi.

Në Afrikën subsahariane, rreth 560 milionë njerëz (58 për qind e popullsisë) jetojnë në varfëri shumëdimensionale, prej tyre 342 milionë (61 për qind e atyre që jetojnë në varfëri shumëdimensionale të rëndë). Në të njëjtën kohë, në Azinë Jugore 546 milionë njerëz (31 për qind e të gjithë popullsisë) janë shumë të varfër, 200 milionë prej tyre (37 për qind) në mënyrë të rëndë.

Raporti tregon gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm midis zonave urbane dhe rurale. Globalisht, ka 1.1 miliard njerëz që jetojnë në varfëri shumëdimensionale në zonat rurale dhe 200 milion në mjedise urbane.

Njerëzit e margjinalizuar dhe të privuar jetojnë në të gjitha rajonet dhe raporti thekson se ekziston rreziku që numri i tyre të rritet. Rreth 892 milionë njerëz përballen me mundësinë e rënies në varfëri shumëdimensionale, e cila mund të ndodhë më shpejt nëse ato preken nga kriza, fatkeqësitë natyrore ose efektet e ndryshimeve klimatike, ndër të tjera.