Varfëri ekstreme, qytetarët gjejnë “shpëtim” te bankat dhe marrin miliona euro kredi

Qytetarët e Kosovës vetëm brenda pesë muajve të parë të këtij viti kanë marrë “borxh” në banka mbi 816 milionë euro. Kurse, gjatë tërë vitit të kaluar janë dhënë 1.8 miliardë euro kredi të reja. Në total llogaritet se kosovarët kanë mbi 3.7 miliardë euro kredi. 

Edhe viti 2022 i ka gjetur qytetarët e Kosovës me miliarda euro kredi të papaguara. Madje, vlera e tyre veç është rritur.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar për Demokracia.com se nga muaji janar deri në muajin maj 2022, vlera e kredive të reja ka arritur në shumën prej 816.8 milionë euro.

Kurse, në vitin e kaluar, kredi të reja nga bankat komerciale janë dhënë 1.8 miliardë euro.

Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se qytetarët e Kosovës më së shumti kredi marrin për të siguruar ushqimin.

“Qytetarët marrin më së shumti kredi konsumuese, shërbyese, hipotekare, industriale dhe bujqësore. Norma mesatare e interesit në kredi vazhdon të shënojë ulje, ku në muajin maj ajo ishte 5.9%”,  thuhet në përgjigjen e BQK-së për Demokracia.com.

Edhe një anketë e institutit “GAP” e bërë kohë më parë ka treguar se gjysma e të anketuarve kanë marrë kredi konsumuese, 17% kredi për blerjen e shtëpisë, 6% kredi për blerjen e automobilit e kështu me radhë.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se vlera e kredive totale për vitin e kaluar ishte 3.7 miliardë euro.

“… deri në dhjetorin e vitit të kaluar (2021), totali i vlerës së kredive të dhëna ishte 3.7 miliardë euro”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Demokracia.com.

Nga këto, 1 miliard e 384 milionë janë kredi të dhëna për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 299 milionë euro për korporatat jo-financiare dhe 6 milionë e 800 mijë euro për korporatat e tjera financiare.

Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, norma mesatare e interesit në kredi është 5.6 për qind. Për ekonomitë familjare kjo normë është 6 për qind, prej të cilave konsumuese 6.4%  dhe hipotekare 4.8%. Ndërsa, për korporata jo-financiare është 5.4 për qind, prej të cilave 4.4%, industriale, 5.7% dhe shërbyese 5.2%. Në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, janë 11 banka dhe 9 nga to janë në pronësi të huaj.

Sipas të dhënave të BQK-së, bankat komerciale në Kosovë për katër muajt e këtij viti kanë fituar 44.6 milionë euro. E derisa bankat kanë rritur fitimet, qytetarëve të Kosovës vetëm i është rritur kostoja e jetesës.

Agjencia e Statistikave në raportin e fundit ka treguar se inflacioni ka shkuar në 14 për qind, derisa janë evidentuar edhe produktet që kanë shënuar rritje alarmante.

“Buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%),mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbimet hoteliere (2,3%)”, shkruan Demokracia.com.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Në sektorin privat, paga mesatare është rreth 380 euro, ndërsa në sektorin publik rreth 620 euro.

Sindikalistë të sektorëve të ndryshëm në Kosovë kanë kërkuar disa herë rritje pagash. Qeveria e Kosovës, në muajin prill ka miratuar Projektligjin për Rritjen e Pagës Minimale nga 130-170 euro, sa është aktualisht, në 250 euro neto. Në prill, Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 milionë euro për kategori të ndryshme të shoqërisë për t’i ndihmuar, siç është thënë, të përballojnë situatën e krijuar nga çmimet në rritje.