Golashënuesi ndaj Tottenhamit

Valverde i kënaqur me paraqitjen e Dembeles

Anësori i Barcelonës, Ousmane Dembele i ka marrë komplimentet e trajnerit Ernesto Valverde pas golit të shënuar ndaj Tottenhamit.

Diciplina ka qenë temë diskutimi për Dembelen prej arritjes së tij në “Camp Nou” në verën e vitit 2017 nga Borussia Dortmundi, ndërsa Valverde shpreson që talenti francez të vazhdojë t’i ndihmojë Barcelonës me paraqitjet individuale.

“Ai ka shënuar një gol të bukur me talentin e tij. Jemi të lumtur me të dhe e kemi përmendur se gjërat që ndodhin te ne do t’i zgjidhim brenda ambientit tonë. Shpresojmë se Dembele dhe të tjerë lojtarë të na sjellin lumturi. Nuk e di nëse është falur për vonesën në stërvitje, kemi nesër sërish seancë stërvitore dhe do të shohim”, deklaroi Valverde.

Barcelona kishte siguruar vendin e parë në grupe prej kohësh ndërsa gjigantët e La Ligas barazuan rekordin e Bayernit prej 29 ndeshjeve pa humbje në shtëpi në Champions League, seri që zgjat nga shtatori 2013.