Trajneri Ernesto Valverde e pranon plotësisht se Barcelona është e varur nga Lionel Messi, pasi argjentinasi e ndihmoi dje skuadrën e tij ta arrinte një barazim dramatik 4-4 kundër Villarealit.
Messi ishte lënë në stol për fillimin e ndeshjes pasi që trajneri kishte vendosur t’i jepte pushim. Fillimisht, Barcelona dukej mjaft mbresëlënëse edhe pa argjentinasin, pasi kaloi në epërsi me rezultat 0-2, falë golave të Philippe Coutinhos dhe Malcomit.
Mirëpo, Villareali u kthye fuqishëm në këtë ndeshje, duke i shënuar katër gola radhazi, për ta kthyer epërsinë në 4:-. Golat për Villarealin i shënuan Samuel Chukwueze, Karl Toko Ekambi, Vicente Iborra dhe Carlos Bacca.
Por, kjo nuk ishte e gjitha për këtë ndeshje. Messi u inkuadrua në lojë në minutën e 61-të. Ai e shënoi një gol të mrekullueshëm nga goditja e lirë në minutën e 90-të dhe pastaj Luis Suarez e barazoi rezultatin në minutat e fundit.
Gazetarët në konferencën për shtyp pas kësaj ndeshjeje e pyetën Valverden nëse Barcelona ishte më e varur se që duhej nga Messi dhe trajneri tha se është i vetëdijshëm për një gjë të tillë.
“Natyrisht që ka varësi ndaj Messit, natyrisht që ekziston. Ai është më i miri në botë. Por, ne duhet ta dimë se edhe kur nuk luan ai, ne duhet të luajmë në të njëjtën mënyrë, ashtu siç bëmë në pjesën e parë”, ka thënë Valverde.
“Nuk ishim të varur nga Messi në pjesën e parë dhe ekipi ishte mirë dhe duhej të kishim qenë në gjendje ta fitojmë ndeshjen”.







