Valon Syla: Më shtrenjtë kushton një mindil i Vitisë, se paga ditore e mjekëve

Gazetari Valon Syla ka komentuar shtesat që Qeveria e Kosovës i ka ndarë për punëtorët shëndetësorë.

Syla përmes një postimi në Facebook  i ka drejtuar kritika ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se më shtrenjtë kushton një minidil i Vitisë se sa një pagë ditore e mjekëve kosovarë.

“O ku je Arben Vitia? ‘Mindili’ paska vendosë që ditën e 1 doktori që lufton me pandeminë ta paguaj 2.4 Euro për ditë. Pra, 30 cent shtesë në orë për doktorat që luftojnë kundër pandemisë. Në anën tjetër po i then rekordet me 2541 të infektuar. Me një fjalë, ma shumë kushton një mindil i setrave të Arbenit që i ndryshon çdo ditë sesa paga ditore e mjekëve e infermierëve që çdo ditë përballen me virusin”, ka shkruar Syla.

Kujtojmë se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës mbajtur sot me datë 25.08.2021 në të cilën mbledhje në pikën e 17 të rendit të ditës ishte parapara miratimi i propozim vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë 2.7 milionë euro për pagesën e shtesave në pagë bazuar në Vendimin nr. 13/19e datës 14.07.2021 për masën 4.1 mbështetja për shëndetësinë në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, i cili Vendim parasheh mbështetjen e punëtorëve shëndetësorë të punësuar në sektorin publik në shumën prej 10% të pagës bruto e jo më pak se 60 euro për muajt Gusht, Shtator dhe Tetor 2021.