Valdrin Lluka ia paguan zyrtares së Ministrisë shpenzimet e diplomimit

Në janar të vitit të kaluar, zyrtarja e MZHE’së, Rrona Zhuri përfundoi studimet në nivelin Master në Angli. Për shpenzimet e ceremonisë së diplomimit, ajo nuk pati nevojë që ta fusë dorën në xhep.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, shpenzimet për këtë ceremoni, asaj ia mbuloi Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ndonëse ajo nuk kishte udhëtuar për qëllime zyrtare. Në këtë institucion e pranojnë se Zhurit i janë mbuluar shpenzimet për diplomim, por thonë se kjo është bërë duke iu referuar Ligjit për Shërbimin Civil.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka mbuluar shpenzimet e ceremonisë së diplomimit një zyrtarje të kësaj ministrie gjatë vitit të kaluar.

Zyrtarja për analiza sektoriale në kuadër të Divizionit të Strategjive Kombëtare të Zhvillimit, Rrona Zhuri ka udhëtuar në janar të vitit të kaluar drejt Anglisë për diplomim.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, MZHE’ja i ka aprovuar dhe paguar vlerën 538 euro për ushqim dhe akomodim Rrona Zhurit, në emër të shpenzimeve për udhëtim zyrtar për ceremoninë e diplomimit/përfundimin e programit të masterit në Angli.

Ndërsa ky udhëtim, sipas Auditorit, është jashtë detyrave dhe qëllimeve zyrtare.

“Shpenzimet për udhëtime jo zyrtare janë në kundërshtim me ligjin dhe paraqesin dëmtim të buxhetit të ministrisë. Ministri duhet të siguroj respektimin e rregullave në fuqi që shpenzimet për udhëtime zyrtare të bëhen vetëm për qëllime zyrtare dhe për të gjitha shpenzimet e pa rregullta, të bëhet kthimi i mjeteve në buxhetin e ministrisë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e pranojnë se Zhurit i janë mbuluar shpenzimet për akomodim dhe ushqim në udhëtimin e saj, por thonë se kjo është bërë bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil, përkatësisht Nenin 35.

Deklarojnë se Zhuri është përfituese e bursës “Young Cell Scheme Scholarship” , bazuar në marrëveshjen në mes Unionit Evropian Zyra në Kosovë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Integrimit Evropian.

“1. Nëpunësit civilë kanë të drejtë dhe janë të detyruar t’i rrisin aftësitë e tyre profesionale përmes trajnimit në shërbimin civil. Nëpunësit civilë mund të autorizohen që të marrin pjesë në programe speciale arsimore jashtë shërbimit civil, me kusht që këto programe të jenë të rëndësishme për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në përgjigjet e MZHE-së.

Në këtë institucion deklarojnë se Zhuri ka qenë e punësuar në Ministri që nga data 10 nëntor 2017, si zyrtare për analiza sektoriale në kuadër të Divizionit të Strategjive Kombëtare të Zhvillimit.

Ndryshe, sipas Udhëzimit Administrativ nr. 2004/07 për shpenzimet e udhëtimit zyrtarë jashtë vendit, neni 2 përcakton se udhëtimet zyrtare nënkupton udhëtimet të cilat kanë një destinacion apo qëllim i cili shërben për kryerjen e detyrave zyrtare në interes të Qeverisë së Kosovës dhe të shërbimit civil të Kosovës.