Valbon Krasniqi: Klinika Infektive po bën hulumtim shkencor me të infektuarit me COVID-19

Klinika Infektive është duke e bërë një hulumtim shkencor me teste rapide nga Izraeli, i cili do të publikohet së shpejti. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi ka thënë se rezultatet e para të këtij hulumtimi janë inkurajuese.

Krasniqi ka treguar se sipas rezultateve të deritashme të hulumtimit, në fund të shërimit ka dalë se pjesa më e madhe e atyre që kanë rezultuar pozitivë dhe që kanë qenë duke u trajtuar në spital, kanë krijuar imunitet.

Stafi i Klinikës Infektivenë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të dal së shpejti me rezultatet e këtij hulumtimi i cili ka nisur në maj dhe po bëhet përmes testeve rapide të dhuruara nga Izraeli.

“Nuk kemi arritur ende të bëjmë përpunimin final të statistikave, por kemi marrë për bazë të studimit 20 pacientë që në atë kohë kanë qenë të shtrirë në klinikën tonë dhe i kemi bërë teste rapide nga dy herë, në ditën e 10 ose 12 të sëmundjes për të parë nëse po formohen antitrupat e klasës IEM dhe pastaj në fund të shërimit kur kanë rezultuar negativë në testimin PCR”, ka thënë Krasniqi për Zërin.

Ai ka bërë të ditur se në hulumtim është përfshirë edhe një grup tjetër i pacientëve prej 20 të infektuarve jashtëspitalorë të cilët kishin rezultuar pozitivë në strishon e grykës, por e kishin kaluar virusin në forma të lehta ose asimptomatike në shtëpi.

“Grupin e tretë të subjekteve në studim i kemi pasur 20 punëtorë shëndetësorë me të cilët kemi punuar në pjesën më të madhe që nga fillimi me pacientët me COVID-19. Rezultatet e para janë inkurajuese. Nuk kemi bërë përpunimin final statistikor të këtyre rezultateve, por nga ajo që kemi parë në shumicën e personave që ne i kemi testuar mes ditës 10 dhe 14, kanë filluar të reagojnë me krijimin e antitrupave mbi 80% e tyre”, ka thënë Krasniqi.

“Te pacientët jashtëspitalorë po ashtu kemi një përqindje relativisht të madhe që kanë reaguar me krijimin e antitrupave, ndërkohë tek stafi shëndetësor kemi një numër më të vogël që është edhe e pritshme, pra kemi një staf simbolik që ka rezultuar me prezencë të antitrupave dhe që nuk kanë pasur simptoma nëse kanë qenë të infektuar apo jo”, ka shtuar u.d. i drejtorit të SHSKUK-së.