Vala e dytë e COVID-19 duhet luftuar pa vaksina

Vaksinat nuk do të arrijnë në kohë për të luftuar valën e dytë të pandemisë së COVID-19 dhe shumë vende do të duhet të vazhdojnë ta përballojnë atë pa vaksina, paralajmëroi sot kreu i OBSH-së për Situatat e Urgjencës, Michael Ryan.

“Unë mendoj se do të duhen të paktën katër deri në gjashtë muaj para se të ketë nivele të mjaftueshme të imunizimit kudo”, tha ai në një seancë pyetje-përgjigje në mediat sociale, duke theksuar se vaksinat nuk duhet të shihen si një “ilaç magjik”, raporton ATSh.

“Ne nuk jemi ende atje ku duhet në lidhje me vaksinat, pavarësisht njoftimeve të fundit për vaksina premtuese, që janë 90% ose më shumë të efektshme”, shtoi Ryan.

“Shumë vende po përballen me këtë valë. Ato do ta kapërcejnë atë dhe do të vazhdojnë të përballen me të pa vaksina”.