Deri më sot, numri i vaksinave të administruara në Kosovë është 1,830,458 doza. Në stok janë edhe rreth 800 mijë doza dhe shumicës prej tyre u skadon afati i përdorimit në muajin shtator.
Deri në vjeshtë, vaksinave anticovid që Kosova i ka në stoqe iu skadon të gjithave afati i përdorimit.
Në një përgjigje për Demokracia.com, Ministria e Shëndetësisë ka treguar se deri më tani me nga një dozë janë vaksinuar mbi 903,387 qytetarë, me dy doza 823,674 qytetarë, ndërsa me tri doza vetëm 103,145 qytetarë.
“Stoku i vaksinave është rreth 800,000. Vaksinat janë nga dërgesa të ndryshme, prandaj edhe kanë afate të ndryshme përdorimi, deri në vjeshtë. Disave u skadon më herët, por aktualisht, vaksinat që janë në përdorim janë të sigurta dhe janë brenda afateve të përcaktuara të përdorimit të tyre dhe në asnjë rrethanë nuk do të përdoret asnjë vaksinë pa afat”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Demokracia.com.
Ish-ministri Arben Vitia pak ditë para se të jepte dorëheqje kishte treguar se mbi 1 milion e 213 mijë vaksina ishin blerë nga buxheti i shtetit. Ndërsa, si donacione, Kosova kishte pranuar edhe 538 mijë doza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes COVAX-it, të cilave, siç ka mësuar Demokracia.com, u skadon afati i përdorimit në muajin shtator.
Ministria e Shëndetësisë ka treguar se vaksinat që do u skadojë afati në shtator, do të administrohen sipas udhëzuesve të OBSH-së për vaksinat që dalin jashtë përdorimit për shkak të afateve të skadencës apo ndonjë arsyeje tjetër.
“Gjatë vitit 2022, vaksinimi kudo ka shënuar rënie për shkak të përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe, po ashtu për shkak se shumica janë vaksinuar me një ose dy doza e me pak me tri doza. Të gjitha shtetet do të kenë vaksina që nuk do të mund të përdoren dhe ato do të administrohen sipas udhëzuesve të OBSH-së për ato që dalin jashtë përdorimit për shkak të afateve të skadencës apo ndonjë arsyeje tjetër. Njëjtë do të veprojë edhe Kosova si shtetet e tjera”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Demokracia.com.
Përveç donacioneve që ka pranuar nga mekanizmi COVAX, Kosova ka pranuar edhe 94 mijë doza nga marrëveshja me EU-në dhe diku 10 mijë doza nga Kroacia. Po ashtu, Kosova i ka pranuar edhe 182 mijë doza nga Norvegjia, nga të cilat vetëm 50 mijë janë administruar.
Ndërkohë, ditëve të fundit është raportuar një rritje e lehtë e rasteve të reja me COVID-19. /Demokracia.com/







