Para se ta lexoni deri në fund këtë artikull, ju sugjerojmë që të mos qeshni, pasi nuk është një lajm satirik, por ‘gjendja’ është shumë serioze.

Nuk do ta besoni, por Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK) që nga e shtuna është me dy kryetarë, të zgjedhur nga dy kuvende të ndara zgjedhore të kësaj partie.

Njëri Kuvend për të zgjedhur kryetarin e partisë është mbajtur në Prishtinë, e tjetri në Gjakovë.

Në Kuvendin zgjedhor të mbajtur në Prishtinë, ku pretendohet se morën pjesë 201 delegatë, kryetari i PSHDK’së është rizgjedhur Ukë Berisha me 118 vota.

Njoftimi u dha nga partia që e shpërndau si kumtesë edhe në media.

“Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka mbajtur sot kuvendin e sajë zgjedhor. Me shumicë absolute kryetari i deritashëm, Ukë Berisha, është rizgjedhur në postin e kryetarit të kësaj partie. Kuvendi është përcjellë dhe monitoruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe votimi është bërë sipas sajë dhe IKShPK-së. Nga 201 delegatë kryetari mori 118 vota. Ky është mandati i tretë I Ukë Berishës në PSDhK”, u tha në njoftim.

E në Kuvendin tjetër që u zhvillua të njëjtën ditë, veçse në Gjakovë, e ku u zgjodh kryetari i të njëjtës parti, më së shumti vota u njoftua se morri Zef Morina. Ky i fundit vite më parë, për zhvillime të ngjashme si këto të së shtunës, ishte larguar nga kjo parti, për të formuar një parti tjetër, po ashtu fetare, por që rezultoi shpejtë si iniciativë e dështuar.

Zgjedhja e Morines në krye të PSHDK’së u njoftua nga dega e kësaj partie në Gjakovë, ku edhe u mbajt ky kuvend zgjedhor, ndërkohë që një tjetër po zhvillohej edhe në Prishtinë.

“Ka perfunduar procesi për zgjedhjet e pergjitshmë të PSHDK-së, ku në këtë kuvend u votua për Kryetarin e PSHDK-së, për Këshillin e Përgjithshëm dhe për disa ndryshime statutare. Delegate të ketij kuvendi ishin delegatet nga Gjakova, Peja, Prizreni, Vitia, Zvicrra, Deçani dhe Ferizaj, delegate keta të cilet jan zgjedhur nëper kuvendet e bashkesive te degeve të tyre. Me shumicë të votave Kryetar për mandatin e ri u zgjedh z. Zef Morina, ku u zgjedh edhe këshilli drejtues i përberë nga 51 anëtar. Kryetarit Morina, së pari i urojmë shendet dhe punë të mbarë dhe urojme qe PSHDK të kthehet aty e kishte vendin dikur, ne mesin e partive parlamentare”, thuhet në njoftimin, me dukshëm disa gabime gjuhësore, e shpërndarë nga faqja “PSHDK Gjakovë -Faqja Zyrtare”.

Mbetet të shihet, gjatë ditëve në vijim, se cilin Kuvend do ta marrë seriozisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ndryshe, PSHDK është parti fetare e themeluar nga i ndjeri Mark Krasniqi, qysh para luftës së fundit në Kosovë, dhe është nder subjektet më të vjetra politike në vend.

Për dallim nga një periudhe kur kjo parti ishte e vetmja parti fetare në Kosovë, në vitet e fundit numri subjekteve të tilla politike është rritur, dhe të reja si “LISBA”, “Partia e Drejtësisë”, “Partia Fjala”, etj, janë krijuar.

Ajo që i ka bashkuar këto parti, përveç se parti fetare, ka qenë edhe dështimi i tyre për një periudhe të shpejtë në jetën politike, duke u bërë kohë pas kohë fokus i talljeve dhe ‘vakive’ të ndryshme komike, për shkak të sjellëve të drejtuesve dhe anëtareve të tyre.