Meksikë

“Vajzën ta kanë vrarë”, deputetja shpërthen në lot dhe ulërima në parlament

Një deputete meksikane ka shpërthyer në lot dhe ulërima gjatë një seance parlamentare, pasi mori një telefonatë që e njoftonte se e bija ishte vrarë.

Deputetes, Carmen Medel Palmas i thanë në telefon se vajza e saj, 22-vjeçarja, Valeria Cruz Medel ishte qëlluar nëntë herë me armë ndërsa ndodhej në palestër.

Pasi mori lajmin e hidhur, 59-vjeçarja nisi të ulërinte dhe bërtiste me të madhe duke thënë “jo nuk ishte vajza ime”, ndërsa kolegët e saj i qëndronin pranë për ta ngushëlluar.

Valeria Cruz Medel, studente e mjekësisë ishte qëlluar për vdekje në qytetin Mendoza në shtetin e Veracruz. Atë e kishin ngatërruar me të dashurën e një pjesëtari të një grupi kriminal.

Lidhur me këtë ngjarje, policia ka vënë në pranga dy persona dhe thuhet njëri prej tyre ka rrëfyer se personi që i qëlloi vajzës së deputetes njihej si ‘El Richy’.