shantazh

Vajzat viktima të shantazhimit me foto intime, policia jep statistika

Shantazhet në vend kanë filluar të bëhen të zakonshme. Pothuajse çdo ditë raportohet për raste të tilla. Vetëm këtë vit, në Policinë e Kosovës janë raportuar 57 raste të shantazheve. Ndërkohë, që për tri vitet e fundit, kjo shifër arrin në gjithsej 216 raste . Bazuar në raportet e Policisë, shumica e shantazheve bëhen nëpër rrjete sociale, e që viktima janë zakonisht femrat, shkruan Gazeta Express.

Fotografitë intime të femrave janë kthyer në mjetin kryesor për shantazh kohëve të fundit.

Ditën e 21 shtatorit të këtij viti, F.F nga Gjilani u arrestua pasi që e kishte kërcënuar ish-të dashurën e tij se nëse nuk do të ia siguronte 1 mijë e 200 euro, ai do t’ia publikonte fotografitë intime në rrjetet sociale dhe tek familjarët e saj.

Prokuroria, menjëherë pas njoftimit të këtij rastit nga Stacioni Policor në Gjilan, ndaj të dyshuarit, ka lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

Dy ditë më pas, u raportua edhe për një rast të tillë shantazhi, e që i dyshuari përfundoi prapa grilave.

Por, këto nuk janë rastet e vetme të shantazhit që ndodhën këtë vit. Madje, me kalimin e viteve duket se vetëm sa po shkojnë duke u rritur.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës që ka siguruar Gazeta Express, vetëm gjatë këtij viti janë raportuar rreth 60 raste të shantazheve.

Ndërkohë, që për tri vitet e fundit, kjo shifër arrin në gjithsej 216 raste. Bazuar në raportet që lëshon Policia e Kosovës çdo ditë, shumica e shantazheve bëhen nëpër rrjete sociale. Ndërsa,  viktima të shantazheve janë kryesisht femrat.

Ndryshe, çështja e shantazheve është e rregulluar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në bazë të Nenit 341 të këtij Kodi, “kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanos personin tjetër se do të zbulojë diç në lidhje me të apo personat e afërm të tij që do të dëmtojë  nderin apo autoritetin e tyre dhe në këtë mënyrë e detyron personin e tillë të kryej apo të mos kryejë  ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tij apo të personit tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. “

Ndërsa, nëse shantazhi kruhet me përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, dhe dëmi i pasurisë e tejkalon shumën prej 10 mijë euro, dënimi me burgim shkon prej 1 deri në 10 vjet.

“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit apo  kryhet me përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ose vepra penale rezulton me dobi pasurore të  kundërligjshme në shumën që tejkalon dhjetëmijë (10.000) Euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me  burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet”.