‘Vajzat shqiptare po punojnë si eskorta për biznesmenë shqiptarë dhe sheikë të huaj për dymijë euro nata’

Prostitucioni është një nga profesionet më të vjetra në botë, i cili vazhdon të ushtrohet edhe sot por në mënyra të reja. Ai njihet me termin eskortë.

Unpublished investigon në Shqipëri se si vajza të reja shqiptare kthehen në shoqërueset e seksit për persona me influencë dhe të pasur, duke e konsideruar veten një shkallë më lart se prostitutat që kërkojnë gjahun e tyre në rrugë.

Kërkesat sot për prostituta janë të larta, nga njerëz me pushtet dhe para, ndaj edhe fitimet janë të majme.

“Një pjesë e femrave pasi ushtrojnë një kohë të gjatë aktivitetin e prostitucionit, nga të shfrytëzuara kthehen në shfrytëzuese. Kjo ndodh për faktin se duke qenë se kanë krijuar kushte të mira ekonomike, ato bëjnë ndërhyrje estetike.

Në këtë mënyrë ato krijojnë një status tjetër dhe e fusin veten në një tjetër klasë shoqërore, fillojnë dhe shoqërohen me persona të quajtur VIP, biznesmenë, duke rritur kështu edhe tarifat nga 500 deri në 2000 euro, në formën e eskortimit. Këto tarifa janë mësuar nga hetimet,” – shprehet drejtuesi i antitrafikut në drejtorinë e Tiranës Gjergji Nikolla.

Këto femra që quhen eskorta joshen pasi arrijnë të sigurojnë pagesa të majme.

“Ajo që sot është emancipuar, që tashmë nuk mund të kemi një prostitucion të rëndomtë, por në zhargonin e përditshëm quhen eskorta. Disa vajza marrin përsipër vetë t’iu ofrojnë disa meshkujve shoqërinë si fillim për darka të ndryshme, për ditëlindje të ndryshme. Më pas kundrejt pagesave të ndryshme kalojnë edhe përtej shoqërisë me klientin,” – thotë avokati Bledar Meminaj, për Unpublished.