Ushtria e Kosovës tregon se si i shkatërroi ortekët e rrezikshëm të borës në Brezovicë (FOTO)

Në një lartësi mbidetare mbi 2230 metra dhe mot të keq, ekipet e Kërkim-Shpëtimit dhe të Deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë realizuar me sukses misionin e tyre për largimin e ortekëve të borës.

Në njoftimin për media thuhet se pas vlerësimit të situatës nga ekipet e Kërkim-Shpëtimit të FSK-së, ekipet e Deminimit, me gjithë kushtet e vështira, kanë filluar punën më datë 02.02.2019 për largimin e ortekëve të rrezikshëm të borës në kompleksin turistik në Brezovicë.

“Së pari shkatërruan ortekun e parë me eksploziv, i cili paraqiste rrezik të madh për krijimin e një orteku edhe më të madh dhe shumë të rrezikshëm për qytetarët. Për shkak të motit shumë të vështirë dhe erërave të forta, deri në 60km/h, operacioni është dashur të ndërpritet. Operacioni ka vazhduar më datën 04.02.2019, me ç ‘rast është larguar edhe orteku i dytë. Sipas vlerësimeve për momentin nuk ka rrezik potencial për lëvizje të ortekëve, mirëpo duke u bazuar në kushtet atmosferike të cilat mbretërojnë në këtë pjesë mund të krijohen ortekë të cilët mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

“Vështirësitë në terren kanë qenë shumë të mëdha, por falë përgatitjes profesionale të ekipeve të FSK-së, dhe falë vullnetit të madh, për të mos lejuar të ndodhë ndonjë katastrofë natyrore për vizitorët në këto pjesë, është arritur që operacioni i ekipeve të Deminimit të kryhet me sukses”, thuhet më tej.

Ndryshe, javë më parë si pasojë e një orteku në Brezovicë ka vdekur zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci, djali i ish kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci.