Uroi 28 Nëntorin me foton e diktatorit Enver Hoxha/ Deputeti Çela nuk tërhiqet: Ai udhëhoqi luftën!

Deputeti i PS, Bujar Çela nuk është tërhequr as sot nga deklarata e bërë ditën e djeshme kur uroi 28 Nëntorin me një foto ku krahas flamurit shqiptar, ishte edhe figura e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Nga Lushnja ku mori pjesë në homazhet në nder të të rënëve në luftën e dytë botërore, deputeti i Lushnjes në prononcimin e tij për mediat tha se figura e Enver Hoxhës nuk është nul pasi ai udhëhoqi luftën Nacionalçlirimtare.

Sipas tij, ngaqë nuk ka tjetër drejtues tjetër të luftës, Enver Hoxha është njëlloj si figurat e tjera të ballit dhe legalitetit që janë rehabilituar dhe kjo i takon historianëve.

“Unë pres pyetje të tilla, sepse i përkas atyre që e njohin luftën dhe mendoj që figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka edhe ai kontribute, përderisa ne nuk kemi gjetur një udhëheqës tjetër që e ka udhëhequr luftën. Po të jetë se ka një person që pretendon se gjyshja apo gjyshi i tyre ka udhëhequr këtë luftë të shprehet. Historianët janë aty, letrat janë aty. Shumë herë kemi bërë padrejtësisht armiq, kriminela, këto fakte janë nga më të ndryshëm, që nga Balli Kombëtar, Legaliteti. Në atë komision ka nipër të Isa Toskës. Unë nuk e harroj historinë nga ku kemi ardhur ne sot”, tha Çela