ZPS

Urdhërohet kategorizimi dhe nënkategorizimi i materialeve në çështjen Bahtjari dhe Januzi

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë u urdhërua që të bëhet kategorizimi dhe nënkategorizimi i materialeve.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou dha urdhër që kategorizimi dhe nën kategorizimi të bëhet në mënyrë specifike ashtu siç kishte propozuar Zyra e Prokurorit të Specializuar në parashtrimet e veta.

“Urdhëroj miratimin e kategorizimit dhe nënkategorizimin në mënyrë specifike sipas provave në ‘Legal workflow’ sikur që është propozuar nga ZPS-janë paragrafin 9 dhe parashtrimin me shkrim që mbajnë datën 31 tetor 2023”, tha gjyqtari Guillou.

Paraprakisht, gjyqtari pyeti Zyrën e Prokurorit të Specializuar nëse ka ndonjë koment lidhur me parashtrimet e veta, por që prokurorja Silvia D’Ascoli tha se nuk kanë.

Po ashtu, D’Ascoli njoftoi se edhe ekipet mbrojtëse të Bahtjarit dhe Januzit nuk kanë pasur kundërshtime.

“Prandaj mund ta konsideroni që kemi pasur marrëveshje me njëri tjetrin dhe mund të zbatojmë kategoritë dhe nënkategoritë në Legal workflow”, tha D’Ascoli.

Tutje, gjykatësi tha se ZPS-ja në parashtrimet e veta ka bërë me dije që nuk ka pasur asnjë vështirësi në nxjerrjen e materialit provues.

“Vë re që ZPS bëri me dije në parashtrimet me shkrim që nuk ka asnjë vështirësi për nxjerrjes së materialit provues në këtë moment në kohë dhe ka marrë parasysh kalendarin mbi vendimin kornizë për nxjerrjen e provave dhe çështjeve në lidhje me të që është i datës 24 tetor 2023. Gjegjësisht ZPS-ja ka specifikuar se ende është duke rishikuar materialet e rregullës 103 dhe po ndjek të gjitha hapat e nevojshme sa i takon redaktimeve dhe në vijmë të këtyre hapave do të nxjerrë materiale të tilla. Me teje ZPS specifikon që synon të marrë prova shtesë që janë materiale… si dhe përkthimet përkatëse pritet të përfundohen brenda afatit të propozuar për nxjerrjen e materialeve sipas rregullës 102/P”, tha gjyqtari.

Prokuroja Silvia D’Ascoli tha se qëndrojnë prapa parashtrimeve që kanë dorëzuar dhe nuk kanë asgjë për të shtuar.

Po ashtu edhe mbrojtja e Batjarit dhe Januzit nuk kishin komente lidhur me këtë pjesë.

Më 6 tetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, kishte njoftuar se Ismet Bahtjari dhe Sabit Jonuzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Tri ditë pas arrestimit, më 9 tetor, Bahtjari dhe Jonuzi janë deklaruar të pafajshëm.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.Urdhërohet kategorizimi dhe nënkategorizimi i materialeve në çështjen Bahtjari dhe Januzi