Uran Ismaili ka reaguar pas dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Ai ka shprehur mirënjohje dhe krenari për punën e gjatë dhe të ndershme të Krasniqit në krye të partisë.

“Me Memlin e kam bërë çdo hap në politikë, tash e dy dekada. Jam shumë krenar për punën e tij, por edhe për dashninë e madhe që gjithmonë ia ka dhënë PDK-së. Memli ka hapur rrugën për një brez të tërë aktivistësh që e kanë nisur punën me të dhe pas tij,” ka shkruar Ismaili.

Ai ka theksuar se dorëheqja e Krasniqit është bërë me dinjitet dhe me qëllim për të krijuar një momentum të ri për PDK-në dhe Kosovën.

“Pas një pune të madhe e të ndershme, sot Memli me bindje të plotë dhe me dinjitet të jashtëzakonshëm dha dorëheqje për të krijuar një momentum të ri për PDK-në dhe Kosovën. Për Memlin, PDK ka qenë gjithmonë e para – përtej çdo kalkulimi personal,” shtoi ai.

Në fund, Ismaili ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Memli Krasniqit, duke theksuar se partia është më e fortë se kurrë më parë.

“Memli, të jam thellësisht mirënjohës për gjithë punën, dashninë dhe angazhimin që ke dhënë për PDK-në dhe për Kosovën. Sot, PDK është më lartë dhe me rezultate më të mira se kur ke marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr. Shumë krenar me ty. Vazhdojmë bashkë drejt fitoreve të reja,” përfundon reagimi i Uran Ismailit.