UP

UP për një vit shpenzon mbi 2 milionë euro për honorarët shtesë

Universiteti i Prishtinës vetëm për honorarët shtesë për një vit ka shpenzuar hiq me pak se 2 milionë euro.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, me rastin e publikimit të analizës për menaxhimin e financave lidhur me pagesat që i bëhen stafit akademik në UP, ka bërë të ditur se mbi dy milionë euro shpenzohen në vit në UP për honorarët shtesë dhe rreth një milionë euro për bashkëpunëtorë të jashtëm.

Sipas Rron Gjinovcit, statusi nuk lejon që ligjëratat të mbahen nga asistentët, por kjo ndodh shumë shpesh, e më pas shpenzimet janë marramendëse.

“Universiteti i Prishtinës ka shpenzuar 2 milionë e 332 mijë euro për honorar shtesë dhe rreth 1 milionë euro për bashkëpunëtorë të jashtëm. Shpenzimet më të mëdha janë bërë në Fakultetin e Mjekësisë me 143 mijë euro. Ndërsa, më të vogla në Fakultetin e Sporteve me 43 mijë euro”, tha ai.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se gjashtë orë duhet të jenë mësimdhënie, e jo më pastaj mësimdhënësit ta keqpërdorin këtë pjesë të kalojnë normën dhe të kenë më shumë fitime.

“Mendoj që jemi në një moment që gjërat duhet të ndryshojnë në të gjitha institucionet, e jo të thirremi në atë se ne e bëjmë punën mirë vetëm atëherë kur mbikëqyremi. Ne të gjithë jemi të interesuar që të kemi një universitet më të mirë se kaq”, tha Bytyqi.

Ndërsa, Ardiana Binaku nga Këshilli drejtues i UP-së, tha se ka mungesë të stafit administrativ.

“Shumë profesorëve u është mundësuar të angazhohen në fakultete tjera, si pasojë e mungesë së stafit të brendshëm. Po ashtu, nuk ka vlerësim të stafit akademik dhe planifikim individual vjetor për secilin profesor, se ku ka arrit dhe çfarë bëjnë”, tha Binaku.

Ajo ka shtuar se një profesor i UP-së ligjëron shumë lëndë, ku më pas efikasiteti nuk është i duhur, duke ditur se nuk është lëmi e atij profesori.