UP
Universiteti i Prishtinës deklarohet për akuzat ndaj “profesorëve plagjiatorë”, ja çfarë do të bëjë
Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA) ka paraqitur listën me emra të profesorëve të akuzuar për plagjiatur në Universitetin e Prishtinës (UP)
Ballkani.info ka pyetur rektoratin e Universitetit të Prishtinës për veprimet e UP-së mbi profesorët të akuzuar për plagjiaturë në punimet e tyre të doktoraturës.
Në emailin e pranuar, rektorati i Universitetit të Prishtinës thotë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë dhe dokumentacion për raste plagjiature në UP:
“Trajtimi i çështjes së plagjiaturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” bëhet nëpërmjet mekanizmave institucionalë, përkatësisht nga Këshilli i Etikës. Nga informatat nga ky Këshill, nuk rezulton se ndonjë palë ka parashtruar kërkesë dhe dokumentacion për raste të plagjiaturës në këtë institucion”, njofton Universiteti i Prishtinës.
Më tutje, thuhet se Universiteti i Prishtinës do të marr hapa në identifikimin e rasteve të plagjiaturës < duke premtuar transperancë me mediat dhe opinionin publik në përgjithësi:
“Sidoqoftë, Universiteti i Prishtinës ka ndërmarrë disa hapa në drejtim të identifikimit të rasteve të plagjiaturës në punimet e masterit dhe doktoratës të punuar në këtë institucion. Një nga ato është investimi në një softuer të avancuar në gjuhën shqipe për të detektuar plagjiaturën. Gjithashtu, UP ka mbështetur pa rezerva organet përkatëse të tij për të vepruar energjikisht për rastet që raportohen dhe shoqërohen me dokumentacionin përkatës. Ne do të vazhdojmë të jemi transparentë me opinionin publik dhe mediat për të gjitha hapat që do të merren për parandalimin e kësaj dukurie”, u tha në emailin zyrtar të Universitetit të Prishtinës në përgjigjen e pyetjeve nga Ballkani.info.
Në Universitetin e Prishtinës ka pasur edhe protesta për shkarkime rektorësh. Vitëve të fundit UP-ja është në qendër të kritikave për disa parregullësi që po vazhdojnë në institucionin më të lartë arsimor në vend. /Ballkani.info/