Zyra e Rektoratit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, ka reaguar për raportin e ekipit të ekpertëve ndërkombëtarë për akreditim, se ky Universitet nuk i plotëson standartet e kërkuara dhe kërkesën e tyre ndaj Agjencionit Kosovar për Akreditim që të mos e akreditojë këtë Universitet.
Zëdhënësi në rektoratin e Universitetit të Mitrovcës , Ahmet Jashari ka folur për Ballkani.info. Ai ka thënë se kërkesa për mosakreditimin e këtij Universiteti është tendecioze.
“Universiteti i Mitrovicës ka shënuar ngritje për 4 mijë vende në ranglistën e institucioneve të arsimit të lartë në botë , duke i lënë pas Universitetin e Pejës, Universitetin e Prizrenit dhe atë të Gjakovës. Por, raporti ka dalë vetëm për UMIB-in”, tha Jashari, për Ballkani.info.
Për këtë raport, reagoi edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, shkarkimin e komplet stafit drejtues, pasiqë sipas tij, ata kanë ardhur aty me ndikime politike dhe e kanë katandisur Universitetin.
Jashari për Ballkani.info, tha se reagimi i Bahtirit është vetëm një tendencë për ndikim në zgjedhjet e stafit akademik në këtë Universitet, pasi që nuk është në kompetencat e tij të flas për Universitetin.
“Kryetari i Komunës nuk ka kompetenca të ndërhyjë në punët e Universitetit, ai dhe Universiteti janë shumë larg. Kjo është një tendencë për ndikim në zgjedhjet e stafit udhëheqës në këtë Universitet,
sepse rektori aktual, Alush Musaj është kandidat potencial për një mandate të dytë”, tha Jashari.
Zgjedhjet e stafit udhëheqës në këtë Universitet kanë filluar në maj të këtij viti dhe pritet të përfundojnë këtë javë me zgjedhjen e rektorit. /Ballkani.info/







