Emërimi i Antonio Conte në krye të pankinës së Interit vë në lëvizje të gjithë mekanizmat për merkaton e klubit zikaltër.
Prej kohësh raportohet se Romelu Lukaku është zgjedhja e parë e trajnerit italian dhe Interi është vënë në lëvizje për sulmuesin belg. Sipas informacioneve palët kanë rënë dakord për kontratë 3-vjeçare me pagë 7.5 milionë euro në sezon.
Negocimi tani vijon me Manchester United, që sipas informacioneve të rrjetit mediatik “ESPN” kanë biseduar dhe “Djajtë e Kuq” kanë vënë në dijeni klubin italian se nuk e konsiderojnë largimin e 26-vjeçarit pa 90 milionë euro.
Një shifër goxha e lartë, duke qenë se Interi ka menduar të ofrojë Ivan Perisic (vlerësohet 30 mln euro) dhe 30 milionë euro të tjera. Një opsion tjetër i preferuar nga klubi anglez është përfshirja e Milan Skriniar në këtë tratativë, por që kjo hipotezë hidhet poshtë nga Interi.







