Unioni Kombëtar i Gazetarëve të Ukrainës (NSJU) i ka kushtuar një artikull zhvillimeve në Kosovë, respektivisht sulmit terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator. NSJU ka raportuar për konferencën e organizuar nga OJQ-ja “Octopus” ku i diskutua për atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit dhe implikimet rajonale dhe gjeopolitike.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

“Tetori në Prishtinë mban erë kafeje dhe gështenja të pjekura. Aroma e tyre përhapet në mënyrë joshëse nëpër rrugët me diell. Njerëzit shëtisin përgjatë bulevardit të Nënë Terezës, ulen në tarracat e kafeneve dhe flasin shkujdesur me një filxhan makiato. Duket se po ecin mirë. Të gjithë janë të buzëqeshur dhe të lumtur”, nis artikulli i NJSU-së.

Ndërkaq, më pak se një muaj më parë, Republika e Kosovës ishte një hap larg luftës. Më 24 shtator është derdhur gjak në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës. Në territorin e manastirit ortodoks serb fshiheshin militantë të armatosur. Ata qëlluan një polic të Kosovës dhe ishin gati të vrisnin civilë në çdo moment. Është e vështirë të thuhet se si do të kishte përfunduar e gjithë kjo, nëse jo reagimi i menjëhershëm i institucioneve ndërkombëtare dhe policisë së Kosovës, vazhdon tutje artikulli.

“Agim Musliu, kreu i Institutit “Octopus” që merret me Studimin e Luftërave Hibride, ishte ndër të parët që dëshmoi se në këtë sulm terrorist ishin ndërthurur gjurmët serbe dhe ruse. Të mërkurën e kaluar, ai dhe ekipi i tij prezantuan hulumtimin e tyre të plotë mbi këtë temë në Prishtinë. Folësit autoritativë nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia analizuan çdo detaj dhe ranë dakord se pas çdo provokimi qëndron hija e keqe e Kremlinit. Ata folën për paralelet historike të ngjarjeve që ndodhën çerek shekulli më parë në Ballkanin Perëndimor dhe që po ndodhin sot në Ukrainë. Agim Musliu theksoi se terroristët serbë janë trajnuar për një kohë të gjatë në kampet stërvitore në territorin e Serbisë. Instruktorët e tyre ishin ushtarë rusë”, theksohet në këtë shkrim të gazetarëve ukrainas.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e quajti sulmin në Banjskë një “agresion hibrid terrorist” që jo vetëm mund të përmbysë të gjithë përparimin e mëparshëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe të minojë themelet e sigurisë së Bashkimit Evropian. Shkencëtari politik Yasmin Mujanovych shtoi se ngjarjet në Banjskë u zhvilluan sipas modelit të konflikteve ushtarake në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci në fillim të viteve 1990.

Në fjalën e tij, kreu i Qendrës për Studime Mbrojtëse dhe Strategjike të Kroacisë, Ivica Mandiq, theksoi se Rusia ka kohë që ka interesat e veta në Ballkanin Perëndimor. Kisha Ortodokse Ruse dhe kultura ruse luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e tyre. Ai shtoi se shteti agresor e përdor Kosovën si mjet për të krijuar politikën e tij të jashtme. Dhe nuk është rastësi që sulmi terrorist në Banjskë ndodhi gjatë pushtimit rus të Ukrainës.

E në të njëjtën kohë kur po zhvillohej konferenca “Sulmi terrorist në Banjskë – pasoja rajonale dhe gjeopolitike”, në qendër të Prishtinës u mbajt panairi i librit të dorës së dytë. Njerëzit shikonin dhe blinin me dëshirë libra në gjuhë të ndryshme, në kohë të ndryshme, me tema të ndryshme. Midis literaturës tjetër, në vitrinat e dyqaneve kishte botime të veprave të Leninit, Marksit dhe Turgenevit.

Ndërsa bota po kërkon një përgjigje për pyetjen se si t’i rezistojmë virusit të propagandës perandorake, e njëjta propagandë po zvarritet nëpër një zbrazëti tjetër. Ajo maskohet si vepra të “kulturës së madhe ruse”, e cila “nuk ka të bëjë me asgjë”. Fatkeqësisht, pak njerëz e kuptojnë këtë, përfundon artikulli i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës. /Ballkani.info/