Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili po kërkon rikthimin, në një deklaratë të fuqishme drejtuar qytetarëve, tha se është i vendosur të sjellë ndryshimin e shumëpritur, pas – siç u shpreh ai – 12 viteve të ngecjes dhe moszhvillimit.

“Unë jam Shukri Buja, nuk flas për ndryshim, unë vij për ta bërë atë. Tani është koha jonë!”, u shpreh ai.

Buja kujtoi përvojën e tij të gjatë politike dhe sakrificat personale, që nga vitet ’80 kur u dënua me 13 vite burg për veprimtarinë e tij, e deri te pjesëmarrja në luftën për lirinë e Kosovës.

Ai theksoi se gjatë kohës sa ka drejtuar Lipjanin, janë investuar mbi 62 milionë euro në projekte të ndryshme zhvillimore, por një pjesë e madhe e punëve – sipas tij – ka mbetur pa u përfunduar.

“Projektet që nuk arrita t’i përfundoj atëherë – do t’i çoj deri në fund tani. Nuk ndalem!”, tha Buja, duke shtuar se Lipjani ka nevojë për projekte madhore që prekin jetën e qytetarëve, dhe jo “për fasadë e ngjyra”.

Me këtë rikthim, Buja kërkoi besimin dhe përkrahjen e qytetarëve për të drejtuar sërish komunën, duke premtuar se do të sjellë “drejtim të vërtetë dhe punë konkrete për Lipjanin”.

Linku i mesazhit të plotë: https://www.facebook.com/share/v/1EHaWDhTCK/?mibextid=wwXIfr