Ultimatumi i LDK-së: Nëse s’ka marrëveshje deri të dielën, tërhiqemi nga negociatat me VV-në

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se nëse deri të dielën nuk arrihet marrëveshja LVV-LDK, kjo e fundit do të tërhiqet nga negociatat për ta lënë të lirë partinë e parë të gjejë alternativa të tjera për të formuar qeverinë.

Muhaxheri në RTV Dukagjini, ka thënë se LDK nuk ka dhënë ultimatum ndaj Vetëvendosjes për të arritur koalicion deri në fund të javës.

“Nga jave tjetër, nëse nuk ka marrëveshje, Vetëvendosje është e lirë të gjejë partnerë të tjerë për koalicion”.

Ai thotë se tashmë Kurti e ka obligim kushtetues të ndërtojë qeverinë pasi është mandatar e jo vetëm kandidat për kryeministër.

Muhaxheri thotë se tashmë është humbur besimi nga veprimet e njëanshme dhe se sipas tij mes LDK dhe LVV nuk ka më entuziazëm si dikur.

Kryetari i Pejës thotë se LDK nuk i ka marrë votat në emër të ndonjë ndryshimi por në emër të qëndrueshmërisë dhe konsistencës së saj si parti prej 30 vitesh.

Muhaxheri thotë se në LDK është vendosur që marrëveshja e tyre në adresë të Vetëvendosjes është e fundit dhe se nuk pranojnë marrëveshje tjera.

“Deri të dielën e kanë mundësinë për t’i dhënë vendit qeverinë. Nga e hëna tjetër ata mund të gjejnë opsione tjera. E kanë një javë kohë në mënyrë që të mos thonë LDK na bllokoi”, tha Muhaxheri.