Ukraina pranon afër 530 milionë dollarë grante nga SHBA-ja dhe Britania

Ukraina ka pranuar pothuajse 530 milionë dollarë grante nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania nga fondi i krijuar në Bankën Botërore, ku mund të bëhen donacione për Qeverinë e Kievit, pas nisjes së pushtimit rus.

SHBA-ja ka dhuruar afër 500 milionë dollarë dhe Britania 24 milionë të tjera, të cilat kanë arritur në Ukrainë, bëri të ditur Ministria ukrainase e Financave.

“Këto fonde do të drejtohen për shpenzimet urgjente sociale, humanitare dhe shëndetësore. Por, po ashtu për të mbështetur qytetarët e zhvendosur brenda vendit”, u tha në njoftim.

Senati amerikan ka miratuar pothuajse 40 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën të enjten, ndërkaq grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) është pajtuar që t’i ofrojë Ukrainës mbi 18 miliardë dollarë fonde.

SHBA-ja, Britania dhe shtetet e tjera, përveç ndihmës financiare, i kanë ofruar Ukrainës edhe ndihmë ushtarake për t’iu kundërpërgjigjur pushtimit që Rusia nisi më 24 shkurt. /REL