Ukraina ka nisur një “operacion special” në kufi me Bjellorusinë, duke përfshirë stërvitjet ushtarake për njësitë antitank dhe ato ajrore për të forcuar kufirin e saj. Ky operacion është duke u zhvilluar pas paralajmërimeve se Bjellorusia mund të dërgojë emigrantë në kufirin me Ukrainën, shkruan “Reuters”.

Shërbimi kufitar shtetëror ukrainas deklaroi se “operacioni special” në kufirin me Bjellorusinë përfshinte trupa të Gardës Kombëtare, policinë, Forcat e Armatosura dhe njësi të tjera. Aviacioni dhe dronët do të përdoren gjithashtu në mënyrë aktive për patrullim dhe monitorim.

Ukraina ka vendosur 8,500 trupa shtesë në kufirin e saj me Bjellorusinë, duke thënë se ka frikë se do të tërhiqet në krizën e emigrantëve, për të cilën Bashkimi Evropian ka akuzuar Minskun se lejon fluturime me emigrantë nga Lindja e Mesme dhe i shtyn ata të hyjnë në Poloninë fqinje.

Kievi gjithashtu shqetësohet se kufiri me Bjellorusinë, një aleat i ngushtë rus, mund të përdoret nga Rusia për të organizuar një sulm ushtarak.

Kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës deklaroi për gazetën “Military Times” se Rusia kishte më shumë se 92,000 trupa të grumbulluara rreth kufijve të Ukrainës dhe po përgatitej për një sulm deri në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

Moska i ka hedhur poshtë sugjerimet e tilla si nxitëse dhe është ankuar për atë që thotë se po rrit aktivitetin në rajon nga aleanca e NATO-s. Ndërsa Ukraina ka deklaruar se i është dashur të mbajë një sërë stërvitjesh ushtarake në të gjithë vendin, për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.