Ukë Thaçi, njëri nga të mbijetuarit e masakrës së burgut të Dubravës, është shprehur i zhgënjyer me lirim nga akuza të serbit Gavrilo Milosavleviq.

Milosavleviq është liruar për pjesëmarrjen në masakrën e burgut të Dubravës sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku pikërisht Ukë Thaçi ka qenë njëri nga dëshimtarët e Prokurorisë.

“Patëm nevojë për drejtësi nga institucionet tona, të cilat e patën mundësinë ta ndëshkojnë krimin dhe ta dëshmojnë torturën çnjerëzore ndaj popullit shqiptar para botës”, ka shkruar nder tjerash Thaçi.

Postimi i plotë:

Gavrilo Milosavleviq lirohet nga akuza për masakrën në burgun e Dubravës.

Sinqerisht nuk po ju kuptoj.

Përkundër dëshmive e fakteve vjen liria për kriminelin.

Përkundër vuajtjeve tona, që ende shpesh herë ballafaqohemi me ankth edhe sot, vjen zhgënjimi nga drejtësia.

Përkundër shkrimeve tona, botimeve, dekada më vonë, padive, mbesim pa fjalë. Përkundër gjithë asaj vuajtje, ngushëllohemi vetëm për lirinë aktuale.

Unë dhe shokët e mijë bashkëvuajtës dikur ishim në gjendje ta japim edhe jetën për liri, dhe nuk kemi nevojë sot për mëshirë nga askush.

Patëm nevojë për drejtësi nga institucionet tona, të cilat e patën mundësinë ta ndëshkojnë krimin dhe ta dëshmojnë torturën çnjerëzore ndaj popullit shqiptar para botës.

Ukë Thaçi