Ujkani bëhet portieri i dytë i Torinos

Samir Ujkani ishte transferuar në Torino gjatë verës që shkoi, duke përfunduar si portieri i tretë në klubin nga Serie A. Mirëpo, në ndeshjen e fundit ndaj SPAL, portieri kosovar ishte i dyti

Samir Ujkani u rikthye gjatë verës që shkoi në Serie A pas eksperiencës jo dhe aq pozitive në Turqi me Rizesporin.

Vushtrriasi kishte përfunduar si portieri i tretë pas Salvatore Sirigu e Antonio Rosati.

Mirëpo, në ndeshjen e fundit kundër SPAL-it të Etrit Berishës, Ujkani ishte portieri i dytë, duke e kaluar Rosatin.

Në fakt, pak para se të fillonte ndeshja me SPAL-in, portieri Sirigu ndiente dhimbje dhe i ishte afruar stafit mjekësor të klubit.

Dhe, në ato momente trajneri Walter Mazzarri i kishte thënë Ujkanit të ngrohej, që nënkupton se Ujkani ishte i dyti, shkruan portali italian, “Toro.it”.

Ujkani do të punojë fort që të mbetet portieri i dytë i Torinos edhe në pjesën e dytë të sezonit.

Dhe, kurdo që t’i jepet rasti të jetë i gatshëm për ta dhënë kontributin e tij për ekipin “Granata”.

Ujkani ka përfunduar si portieri i dytë edhe tek Përfaqësuesja e Kosovës, ku po mbron rregullisht portieri i ri, Arijanet Muriç.