UEFA: Vetë ligat vendosin cilat klube kualifikohen në garat evropiane me meritë sportive, nëse sezoni nuk përmbyllet

UEFA ka konfirmuar se pjesëmarrja e klubeve në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës duhet patjetër të bëhet me “meritë sportive”, por secila ligë apo federatë do të ketë pushtet që të vendosë vetë sesi interpretohet ky term, nëse sezoni nuk mund të përfundohet.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u takua të enjten për të diskutuar për ndikimin në rritje të pandemisë koronavirus në futboll dhe përsëri dha rekomandime të fuqishme se kampionatet vendore nëpër shoqatat e saj duhet të përfundohen, përfshirë Ipko Superliga në Kosovë.

Nëse sezoni nuk mund të përfundohet, secila ligë, në rastin tonë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK),  duhet të vendosë se si interpretohet “merita sportive” dhe kjo duhet pastaj të aprovohet patjetër nga federata përkatëse.

Artikulli 4 i rregulloreve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës thekson: “Për të pasur të drejtë të marrin pjesë në këto gara, klubet duhet të kualifikohen për këto gara me meritë sportive”.

Në komunikatën e së enjtes, UEFA tha: “Merita sportive duhet të bazohet në parime transparente, jo diskriminuese dhe objektive”.

Por UEFA e bëri të qartë se ajo gëzon të drejtën që ta refuzojë apo vlerësojë pranimin e cilitdo klub të propozuar nga cilado federatë, nëse ka perceptim publik për padrejtësi në kualifikimin atij klubi, që më gjasë në këtë rast nënkupton se për kualifikim nuk mund të përdorën pikët e koeficientit të UEFA-s.

Organi qeverisës i futbollit evropian dëshiron po ashtu që ligat të eksplorojnë formate të ndryshme për ta përfunduar sezonin, para se të vendosin për ta anuluar atë.

“Do të ishte e pëlqyeshme që kampionatet e pezulluara vendore të rifillojnë sezonin me format tjetër, në një mënyrë që do t’ua lehtësonte klubeve kualifikimin në garat evropiane me meritë sportive”, ka thënë UEFA.

Nga Kosova, në play-off për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve merr pjesë një skuadër, ndërsa dy për Ligën e Evropës.

Në rast se dështon rifillimi i sezonit në Ipko Superligë, shkaku i pandemisë koronavirus, atëherë FFK-ja duhet të vendosë sesi e interpreton termin “m meritë sportive” dhe cilat klube dërgohen për të marrë pjesë në play-off për kualifikim në ligat evropiane.