“Udhëtimi pa viza më së largu në janar të 2024”, vjen reagimi i Presidencës çeke

Presidenca Çeke e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në Këshillin Evropian për t’i dhënë dritë të gjelbër fillimit të bisedimeve me Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Presidenca Çeke e mirëpret marrëveshjen e arritur në nivelin e Këshillit dhe i vlerëson përpjekjet e të gjithë aktorëve përkatës për arritjen e këtij rezultati”- thuhet në një deklaratë të Presidencës Çeke të Këshillit Evropian.

“Ne e çmojmë përparimin domethënës që është bërë në të gjitha blloqet e rrugës për liberalizimin e vizave nga Kosova, përfshirë fushat e sigurisë së dokumenteve, menaxhimit të kufirit dhe të migrimit, rendit publik e sigurisë, dhe të drejtave themelore në lidhje me lirinë e lëvizjes”- thuhet më tej.

Presidenca më tej i bëri thirrje Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin me BE-në për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që ta vazhdojë bashkëpunimin e saj të ngushtë me BE-në dhe vendet anëtare të saj për ta mbajtur përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave”- tha Edita Hrda, përfaqësuese e përhershme e Republikës Çeke në BE.