Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei mund të përballet me një fat të ngjashëm me diktatorin e ndjerë të Irakut Saddam Hussein, paralajmëroi të martën Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
“Unë paralajmëroj diktatorin iranian që vazhdon të kryejë krime lufte dhe të gjuajë raketa ndaj qytetarëve izraelitë,” tha Katz në një takim të zyrtarëve të lartë ushtarakë izraelitë në Tel Aviv, transmeton Ballkani.info.
“Ai duhet të kujtojë se cili ishte fati i një diktatori në një vend fqinj me Iranin, i cili zgjodhi këtë rrugë kundër shtetit të Izraelit”, shtoi Katz.
Disa fakte: Husseini, i cili ishte president i Irakut nga viti 1979 deri në rrëzimin e tij në 2003, pushtoi Iranin në vitin 1980 dhe nisi një fushatë raketore kundër Izraelit në vitin 1991. Lufta Iran-Irak përfundoi në një ngërç pas tetë vjetësh. Fushata e Irakut kundër Izraelit zgjati pak më shumë se një muaj gjatë Luftës së Parë të Gjirit dhe Izraeli – nën presionin e Shteteve të Bashkuara – nuk u kundërpërgjigj.
Pasi forcat e udhëhequra nga SHBA pushtuan Irakun në vitin 2003, Sadami u kap shpejt, u gjykua dhe u dënua me vdekje me varje.
Komenti i Katz erdhi pasi një zyrtar i lartë amerikan i tha CNN gjatë fundjavës se izraelitët kishin një mundësi për të vrarë Khamenei, por SHBA i komunikoi Izraelit se Presidenti Donald Trump e kundërshtoi planin. /Ballkani.info/







