“UÇK’ja, tinza por qëllimisht po përjashohet nga institucionet e Kosovës nga qeveritarët e sotëm”

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu ka thënë sot se Ushtria Çlirimtare e Kosovës tinëzisht, por me qëllim po përjashtohet gradualisht nga institucionet e Kosovës sipas tij, për ta justifikuar ‘epokën e re’.

Ai ka thënë se qeveritarët sot po e harrojnë se UÇK’ja ka hyrë nga malet në institucione dhe se ato janë krijuar prej tyre.

“UÇK si vlerë e ka vendin në institucionet e Kosovës. Kush mendon ndryshe do më ketë opozitë, edhe atë të fortë bile”, ka shkruar Abdullahu.

Ky është postimi i tij:

Edhe diçka për UÇK-n

Veteranët e UÇK-së në shenjë nderimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, kanë vendosur shkronjat UÇK në fshatin Ngucat të Malishevës. Ato janë shkronja të mëdha dhe shihen nga larg. Unë e përshëndes këtë veprim. Dhe nuk jam i vetmi që po e bëj këtë. Por ka një tjetër çështje që ky veprim më shtyri të mendoj.

Si vlerë e luftës, UÇK e ka vendin në histori, por në historinë institucionale të shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë se ajo si e tillë do të duhej të pulsonte aktive pandalshëm për ta justifikuar legjitimitetin shtetëror, për ta mbajtur themelin e shtetit të Kosovës të palëkundur. Pas dy dekadave lirie, sot kjo kështu nuk është më.

UÇK, gradualisht por me konsekuencë djallëzore krejt tinza, po përjashtohet dhe nga institucionet e Kosovës edhe nga mendësia institucionaliste. Kjo po bëhet qëllimshëm për ta justifikuar se ‘epoka e re’ ka filluar përmbajtësish, pa njerëezit që bënë luftën dhe pa vlerat e trashëguar të luftës së tyre. Krejt këta qeveritarë sot po harrojnë se UÇK nga malet ka hy në institucionet e shtetit të cilat janë krijuar me pushkë në dorë. UÇK si vlerë e ka vendin në institucionet e Kosovës. Kush mendon ndryshe do të më ketë opozitë, edhe atë të fortë bile.