Ua përplasa në fytyrë Vuçiqit e Daçiqit gjenocidin që kryen serbët në Kosovë, thotë Edita Tahiri

Ish –kryenegociatorja e dialogut mes Kosovës e Serbisë, Edita Tahiri, ka bërë të ditur se e ka diskutuar në Bruksel çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Ajo iu është përgjigjur një përdoruesi të facebook, duke pohuar se u ka përmendur në fytyrë Aleksandar Vuçiqit e Ivica Daçiqit, gjenocidin e bërë të paramilitarëve serbë ndaj kosovarëve.

”Edita a mendove për këto gra kur i dole Vuçiqit e Daçiqit para syve në Bruksel?”, është pyetur ish-negociatorja pas një reagimi të saj në lidhje me rrëfimin ekskluziv të Vasfije Krasniqit, për përjetimet e saj.

”Jo vetëm që mendoja, por ua kam thënë në fytyrë për gjithë gjenocidin që kanë bërë ndaj shqiptareve, në prani të zyrtarëve të BE-së”, është përgjigjur Edita Tahiri, njofton Klan Kosova.

Më tej ish-shefja e delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë ka theksuar se dialogu i Brukselit ka qenë një luftë por me mjete diplomatike.

”Për këtë që po ua them pyetni lirisht delegacionet që kanë qenë me mua gjatë shtatë viteve në Bruksel. Politikën kombëtare unë e bëjë me vepra, jo me fjalë, tash 30 vjet”, përfundon ajo.