U tërhoqën nga institucionet e Kosovës, por zyrtarët e Listës Serbe kanë paga ‘të garantuara’ nga Serbia

Ndonëse u tërhoqën nga institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk do të mbesin pa paga. Ata në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, kanë përfshirë edhe pagat që marrin nga Serbia.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët më pesë nëntor vendosën që të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, nuk do të mbesin pa paga.

Kjo sepse, pos pagave nga buxheti i Kosovës, ata paguhen edhe nga buxheti i Serbisë.

Të njëjtit, në deklarimin e pasurisë për vitin 2022 në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, kanë përfshirë edhe pagat që marrin nga Serbia.

Goran Rakiq, i cili ishte ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, e njëherësh edhe kryetar i Listës Serbe, nga buxheti i Kosovës merrte një mijë e 150 euro.

Ndërkaq, nga sistemi serb, ai paguhet për pozitën që mban në Shkollën e Lartë Ekonomike e Studimeve Profesionale, me gjithsej 235 euro.

Po ashtu, nga buxheti i Serbisë, Rakiq merr pagë edhe si drejtor i ndërmarrjes publike “Standard”, në Mitrovicën e Veriut, ku merr 542 euro.

Totali i përgjithshëm që Rakiq merrte edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga ai serb, ishte një mijë e 927 euro.

Por, tani merr vetëm atë nga Serbia, 777 euro.

Igor Simiq

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, pas dorëheqjes së tij, nuk do të marrë pagën e deputetit të Kuvendit të Kosovës, sa ishte një mijë e 800 euro.

Megjithatë, ai nuk do të mbesë pa asgjë.

Kjo sepse sistemi serb, ia garanton atij pagën si kryetar i Drejtorisë në Beograd në Fondin e Sigurimeve pensionale dhe invalidore, ku merr një shumë prej një mijë e 250 euro.

Po ashtu, Simiq është asistent në Fakultetin Ekonomik në Mitrovicën e Veriut, ku paguhet nga buxheti i Serbisë, me 200 euro.

Në total nga Kosova dhe Serbia, Simiq paguhej tre mijë e 250 euro, ndërsa tani do të paguhet vetëm një mijë e 450 euro.

Jasmina Dediq

Si deputete e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Jasmina Dediq, paguhej një mijë e 750 euro.

Ndërkaq, nga buxheti i Serbisë, Dediq paguhet një mijë euro si këshilltare për arsim në administratën arsimore.

Nga dy mijë e 750 euro, Dediq tani do të paguhet një mijë euro.

Zoran Mojsilloviq

Zoran Mojsilloviq – deputet i Listës Serbe, paguhet si i tillë me një mijë e 800 euro nga buxheti i Kosovës.

Por kjo pagë atij do t’i zbret në një mijë euro, ngase kjo do të jetë paga që do të marrë nga sistemi serb si asistent në Fakultetin e Sportit dhe Edukimit fizik.

Verica Çeraniq

Deputetja Çeraniq nuk do të ushtrojë më detyrën e kësaj pozite, pas dorëheqjes së saj.

Si deputete në Kuvendin e Kosovës, paguhej një mijë e 900 euro. Ndërsapos kësaj page, ajo paguhet edhe si ekonomiste nga buxheti i Serbisë, në vlerë prej një mijë e 400 euro.

Zoran Todiq

Ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, nga buxheti i Kosovës paguhej një mijë e 160 euro.

Ndërkaq, nga sistemi serb si kryetar i autoritetit të përkohshëm komunal të Leposaviqit, Todiq paguhet një mijë euro.

Millan Radojeviq

Ish-kryetari i Mitrovicës Veriore, Millan Radojeviq, nuk do të marrë më pagën e kryetarit, e cila ishte një mijë e 200 euro.

Megjithatë, ai do të paguhet me një mijë euro nga buxheti i Serbisë si drejtor i Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën Veriore.

Dragisha Milloviq

Dragisha Milloviq, i cili paguhej me një mijë e 120 euro për pozitën e tij si kryetar i komunës së Zveçanit, tani do të paguhet vetëm nga buxheti i Serbisë me një mijë e 400 euro për pozitën e tij si zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore dhe Klinike në Mitrovicën e Veriut.

Këto të dhëna janë publikuar në një grafikë nga REL.

Të dielën e 6 nëntorit, pas përfundimit të protestës të organizuar nga Lista Serbe në sheshin “Car Lazar” të Mitrovicës Veriore, policët serbë kanë filluar të dorëzojnë dorëheqjet e tyre në stacionin policor në veri, duke thënë se këtë largim e kanë bërë për arsye “personale e morale”.

Pas dorëzimit të dorëheqjeve, një numër i zyrtarëve policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, tashmë kanë dorëzuar edhe armët në nënstacionin policor të Zveçanit.

Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.