U qëllua për vdekje pas debatit për Kacifas, Tirana zyrtare reagon për vrasjen e shqiptarit
Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar në lidhje me vrasjen e 63 vjeçarit shqiptar Petrit Zifle, i cili u qëllua me armë nga një anëtar i “Agimit të Artë” pas një debati për emrin e Maqedonisë dhe vdekjen e Konstandinos Kacifas.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes”.
Petrit Zifle u vra nga një 44-vjeçar grek, banor i zonës, i cili u arrestua pak ditë pas vrasjes. Ai e pranoi krimin e kryer gjatë marrjes në hetim. Ngjarja ndodhi në Korfuz të Greqisë më datë 25 nëntor të muajit të shkuar.