U qëllua nga oficerët britanikë, 29-vjeçari i vdekur është shqiptar

Një muaj më parë, oficerët e policisë britanike kanë qëlluar me një taser (taser-armë me bateri që shkakton paralizë të përkohshme) një 29-vjeçar duke e lënë të vdekur. Tashmë është bërë i ditur identiteti i tij dhe rezulton të jetë Sali Byberi, me kombësi shqiptare.

Sipas mediave britanike, ngjarja ndodhi në Clockhouse Way, Braintree, mëngjesin e 21 nëntorit, ku oficerët mbërritën në vendin ku po ndodhte një sherr.

Vdekja e 29-vjeçarit po hetohet nga Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC).

IOPC thotë se pamjet e kamerave kanë zbuluar sesi ka ndodhur ngjarja. Oficerët janë futur për të ndaluar sherrin mes dy palëve të përfshira, ndërsa Byberi dyshohet se ka sulmuar njërin prej tyre. Ata janë përpjekur t’i vinin prangat, por ai ka treguar rezistencë, dhe më pas policët kanë nxjerrë taserin dhe e kanë qëlluar.

Nga taseri, i riu mbeti i paaftë përkohësisht dhe më vonë gjendja iu përkeqësua ndaj është thirrur një ambulancë.

Oficerët qëndruan me Byberin derisa mjekët mbërritën dhe ofruan ndihmën mjekësore. Por, pak pasi ka mbërritur ndihma mjekësore, i riu ka ndërruar jetë.

Tashmë, taseri i përdorur nga policia po analizohet./abcnews.al/