U paraqit me veshje sportive në Kuvend, Adriana Matoshi flet pasi theu kodin e veshjes

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardiana Matoshi, sot në Kuvendin e Kosovës u shfaq me veshje sportive, kështu duke e thyer kodin e veshjes.

Si duket Matoshi nuk e di kodin e veshjes së Kuvendit të Kosovës dhe gjatë seancës së sotme ajo u paraqit me veshje joadekuate.

Kodi i veshjes përcakton se të gjithë deputetët, pavarësisht gjinisë, duhet të jenë të vetëdijshëm që të kenë një pamje të jashtme zyrtare, profesionale dhe të përshtatshme.

Ndërsa, Matoshi ka mbathur atlete, dhe një veshje me ngjyra, ku siç dihet Kuvendi ka një protokoll të veshjes i cili nuk u lejojnë deputetëve që të shkojnë me atlete në seancë.

E për këtë ka reaguar vetë Matoshi, duke thënë se së pari ajo është artishte dhe veshjet e saj gjithmonë janë artistike, e cila ka kërkuar edhe mbështetje nga gazetarët.

“Shijet janë relative, por edhe individuale. Veshja nuk më bën as deputete të keqe, as të mirë. Unë po e luaj rolin tim si deputete, për çfarë jam votuar. Kjo ka rëndësi!. Por, edhe një gjë e kam pritur: më shumë mbështetje nga gazetaret”, ka shkruar ndër të tjerash Matoshi.

Reagimi i plotë i Matoshit, pa ndërhyrje:

Për miqtë gazetarë, që po kërkojnë prononcim për veshjen time në Kuvend!

Sinqerisht, më me dëshirë kisha marrë pyetje për sukseset e kësaj qeverie, për rikthimin e shkëlqimit të skenës kulturore etj. etj.

Por, unë nuk kam as mundësi që të zgjedh pyetjet, njëjtë siç askush nuk ka mundësi të vendosë qysh unë vishem në Kuvend.

Veshjet e mia gjithmonë janë artistike, pasi unë, mbi të gjitha, jam artiste, dhe ashtu do të mbetet përjetësisht!

Shijet janë relative, por edhe individuale. Veshja nuk më bën as deputete të keqe, as të mirë. Unë po e luaj riolin tim si deputete, për çfarë jam votuar. Kjjo ka rëndësi!

Por, edhe një gjë e kam pritur: më shumë mbështetje nga gazetaret.

Jam shumë e lumtur që jetoj në një kohë kur gratë në të gjithë botën e mbeshtesin fuqishëm njëra – tjetrën, në çdo rrethanë, në çdo situatë.

Gratë e Kosovës, pa përjashtim, duhet që sa më parë ta kuptojnë këtë trend të rëndësishëm dhe kaq të nevojshëm për njerëzmim dhe të bëhen pjesë e forcimit të gruas.

Ndërsa për ata që ofendojnë, tashmë jam rexhur!