U kompensua afër 600 euro për udhëtimet në Prishtinë, deputeti i LVV-së dikur tregonte si ndalet zhvatja e shtetit

Mëditjet për pjesëmarrje në seanca e komisione parlamentare, kompensimi për derivate, shujta ushqimore e mbushje telefonike – të gjitha krahas pagës së deputetit – po shihen si benefite jonormale përderisa Kuvendi s’përmbush agjendën legjislative.

Mbrëmë dhe sot janë publikuar kompensimet për derivate të disa deputetëve, gjë që ka nxitur reagime të shumta të opinionit publik. Ka pasur edhe deputet, siç është rasti i Yllza Hotit, deputete e Lëvizjes Vetëvendosjes, e cila ka marrë 610 euro për karburante edhe pse vendbanimin e ka përmendur se e ka në Prishtinë.

Edhe deputetët tjerë janë kritikuar për këtë zhvatje të parasë publike. Ka qenë rasti i deputetit tjetër të LVV-së, Artan Abrashi, i cili edhe pse në formularin për deklarimin e pasurisë ka thënë se nuk posedon veturë, është kompensuar me 690 euro.

Në këtë listë është edhe deputeti Agon Batusha, i cili u kompensua për udhëtimin e tij nga Gjakova në Prishtinë me 570 euro.

Batusha në vazhdimësi ka promovuar udhëtimin me biçikletë, derisa para disa ditësh u mundua të tregonte se si ndalet zhvatja e shtetit duke publikuar vendimin për menaxhimin e Brezovicës.