Njerëzit nga të cilët kryeministri Albin Kurti kërkon vazhdimisht që të luftojnë krimin e korrupsionin nga sot e tutje do të kenë pagë 1 mijë euro më pak.

Kurti me vendim sot i ka ulur pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, shkruan Demokracia.com.

Në këto katër vitet e fundit sipas vendimit të ish kryeministrit Ramush Haradinaj, udhëheqësit e sistemit të drejtësisë merrnin paga 2 mijë e 129 euro neto.

Gjyqtar e prokuror në vitin 2017 paguheshin jo më shumë se 1 mijë e 30 euro neto. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj ata filluan të marrin të ardhura të dyfishuara.

Kryeministri Kurti sot tha se pagat e gjyqtarëve e prokurorëve do të kthehen siç ishin në të kaluarën. Ai tha troç se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit të atëhershëm qeveritar.

Ndërsa në kohën e Qeverisë Kurti 1 ishte marrë vendim që paga e kryeministrit të zbritej, por ato të drejtësisë nuk u preken. Mirëpo, me kalimin në qeveri të Ligjit për Paga dhe Ligji për Zyrtarë Publikë paga e kryeministrit  dhe presidentes ngritët, por zbriten pagat në sistemin e drejtësisë.

Një gjyqtar i Gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO në vlerën 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro.

Një prokuror që është paguar në vitin 2017, paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro.  Zbritja  e pagës do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.

Në këtë rast, do të preken edhe pagat e kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve tjerë të sistemit të drejtësisë.

Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.

Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1672 euro.

Me ligjin e pagave ndonëse pse nuk dihet saktë vlera e koeficientit, paga e gjyqtarit e prokurorit parashihet se do të jetë rreth 1 mijë e 300 euro. /Demokracia.com